Reklame:

IPARD II/ Thirrja e 3-te, Çfare duhet te dine fermeret per aplikimet

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural e Shqipërisë njofton Thirrjen e III për dorëzimin e aplikimeve në kuadër të Programit IPARD II nga Instrumenti i Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA) për Zhvillimin Rural (IPARD) me qëllim të zhvillimit të Sektorit Agro Ushqimor. Thirrja e III për aplikime do te hapen ne daten 10 Dhjetor 2020 për të gjithë personat (persona fizik dhe juridikë), puna dhe veprimtaria e të cilëve zhvillohet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë në fushat e prodhimit bujqësor /ose të agro-përpunimit dhe rural në masat e mëposhtme:
Masa 1: “Investimet në asete fizike në fermat bujqësore” në sektorët e mëposhtëm:
• Qumësht
• Mish
• Fruta
•Perime
• Vresht

Masa 3: Investime në asete fizike për përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe të peshkimit” vetëm në sektorin e mëposhtëm:
– Përpunimi i frutave dhe perimeve Objektivat e masave të Programit IPARD II të përzgjedhura janë në përputhje me objektivat e Dokumentit Strategjik Kombëtar (DSK) dhe kontribuojnë për:
-Mbështetjen e investimeve në sektorin agro-ushqimor me qëllim përmirësimin e konkurrencës, pajtueshmërinë me standardet e BE-së dhe ruajtjen e natyrës dhe mjedisit;
-Mbështetjen e investimeve në zonat rurale me qëllim diversifikimin e ekonomisë rurale dhe krijimin e biznesit, duke çuar në përmirësimin e mundësive të punësimit dhe përfshirjes sociale.
Përfituesi i grantit është një person fizik ose juridik që përfiton mbështetje financiare nga IPARD II.

Aktivitetet e investimeve (projekti): përbëhet nga një sërë veprimtarish për investime në asetet e luajtshme dhe të paluajtshme, duke synuar objektivat e sektorëve të mbështetur, të specifikuar në masat 1, 3.

Shpenzimet e përgjithshme përfaqësojnë një shpenzim të referuar për inxhinierët dhe tarifat e tjera të konsultimit, studimet e fizibilitetit, fitimin e të drejtave të patentës ose licencave Buxheti i përgjithshëm në dispozicion të kësaj thirrje është 29.1 milion EURO nga të cilat 75% ose 21.82 Milion EURO kontribut i BE dhe 25% ose 7.28 Milion EURO kontribut i buxhetit të shtetit.

Masa 1: me buxhet total 21.5 milion EURO. Nën Masën 1 totali i shpenzimeve të pranueshme për të cilat ndihma e kërkuar do të jetë në kufijtë minimal dhe maksimal si:
• Shuma minimale e totalit të shpenzimeve të pranueshme: 10,000 EURO;
• Shuma maksimale e totalit të shpenzimeve të pranueshme: 500,000 EURO;

Një aplikant mund të përfitojë më shumë se një projekt investimi, por totali i kostove të pranueshme të investimeve për aplikant, për këtë masë, nuk duhet ta kalojë vlerën prej 1,500,000 Euro për të gjithë kohë zgjatjen e periudhës së programit.

Nga totali i shumës së kontributit Evropian të akorduar në këtë masë për traktorë, maksimumi i shpenzimeve do të jetë 20%. Përqindja e mbështetjes publike është e barabartë me:
• deri në 60% të totalit të kostove të pranueshme të investimit;
•deri në 65% nëse investimi bëhet nga një fermer i ri (nën 40 vjeç në datën e marrjes së vendimit për dhënien e mbështetjes);
• deri në 70% për investimet në zona malore, ku 100% e investimit duhet të jetë ne zonë malore (shiko listën e zonave malore në Aneksin 7, edhe në rastet kur aplikanti është nën 40 vjeç).

Masa 3: me buxhet total 7.6 milion EURO.
Nën Masën 3 totali i shpenzimeve të pranueshme për të cilat ndihma e kërkuar do të jetë në kufijtë minimal dhe maksimal si:
• Shuma minimale e totalit të shpenzimeve të pranueshme: 25,000 EURO;
• Shuma maksimale e totalit të shpenzimeve të pranueshme: 2,000,000 EURO;
Përqindja e mbështetjes me fonde publike është 50% e totalit të shpenzimeve të pranueshme të investimit.
Kriteret e pranueshmërisë të aplikueshme për të gjitha masat janë:
i) ndërtimi apo përmirësimi i pasurive të paluajtshme, deri në masën e vlerës së tregut të pasurisë;
ii) blerja e makinerive dhe pajisjeve të reja, përfshirë programe kompjuterike, deri në masën e vlerës së tregut të pasurisë;
iii) kostot e përgjithshme që lidhen me shpenzimet e investimet (i) dhe (ii), si p.sh. tarifat e konsulencës të tilla si ato për arkitektë, inxhinierë etj, studime fizibiliteti, përgatitja e planit të biznesit, do të jenë të pranushme për tu rimbursuar deri në një tavan prej 12% të kostove të përcaktuara në pikat (i) dhe (ii). Maksimumi i shpenzimeve për përgatitjen e planit të biznesit duhet të jetë 4% i kostove të përmendura në pikat (i) dhe (ii) pa e kaluar vlerën e barabartë me 5,000 Euro.
iv) Kostot e përgjithshme konsiderohen të pranueshme nëse projekti të cilit i përkasin është përzgjedhur dhe është kontraktuar prej AZHBR. Aplikanti duhet të provojë pronësinë mbi tokën/ ndërtesën ose ndërtesat të lidhura me investimin ose të drejtën e përdorimit me afat të paktën 10 vjet që nga data e dorëzimit të aplikimit. Në rastin e investimeve në pasuri të paluajtshme, ujitje, ose bimë shumëvjecare, aplikanti duhet te provojë pronësinë mbi tokën/ ndërtesat e lidhura me investimin ose të drejtën e përdorimit të tyre për një periudhë të paktën 10 vjet nga data e dorëzimit të aplikimit.
v) Janë të pranueshme shpenzimet e bëra pas firmosjes së kontratës së grantit mes marrësit të mbështetjes dhe AZHBR (me përjashtim të kostove të përgjithshme për shpenzimet e investimit përkatës).
vi) Projektet e investimeve mbeten të pranueshme për tu financuar nga BE-ja në të ardhmen, me kusht që të mos i nënshtrohen modifikimeve thelbësore brenda pesë vitesh nga pagesa e fundit e AZHBR.

Kujdes: Në Thirrjen III, për masën 1 do të mbështeten të gjithë sektorët e përcaktuar në programin IPARD II, ndërsa për masën 3, do të mbështetet vetëm sektori përpunimit të fruta perimeve, dhe jo sektorët e tjerë të kësaj mase. Gjithashtu, “Udhëzuesi për Aplikantët” dhe formatet zyrtare të dokumentave që duhet të përdoren (formulari i aplikimit standart, plani i biznesit standart), të Thirrje III, mund të shkarkohen në versionin zyrtar nga faqja e internetit: www.azhbr.gov.al , www.ipard.gov.al dhe http://www.bujqesia.gov.al,. Dorëzimi i aplikimeve fillon nga data 10 dhjetor 2020 deri në datën 25 Janar 2021. Afati i fundit i pranimit të aplikimeve do të jetë data 25 Janar 2021, brenda orarit zyrtar 08:00 – 16:30.
Aplikimet duhet të dorëzohen në zarfe të mbyllura me titullin Thirrje për Dorëzimin e Aplikimeve, së bashku me titullin e masës, emrin e plotë dhe adresën e aplikantit dhe me shënimin “Të mos hapet përpara dorëzimit”. Aplikimet duhet të dorëzohen:
– Nëpërmjet dërgesës postare rekomande,
– Dorazi (duke përfshirë shërbimet korriere) direkt në Autoritetin Kontraktues në këmbim të një mandati dorëzimi me firmë dhe datë.
Aplikimet e dërguara nëpërmjet çdo mënyre tjetër (p.sh. me faks apo e-mail) apo të dërguara në adresa të tjera do të refuzohen.
Çdo aplikim i mbërritur në AZHBR pas datës 25 Janar, 2021 do të refuzohet. Të gjitha afatet e mësipërme do të përllogariten duke u bazuar në Kodin e Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë.
Autoriteti Kontraktues do të ketë pronësinë e të gjitha aplikimeve që do të dorëzohen. Si pasojë, aplikantët nuk do të kenë të drejtë t’i marrin mbrapsht aplikimet e tyre. Shënim për aplikantët potencialë:

Përdorimi i formateve të tjera përveç atyre të thirjes 3 të publikuara në faqen e internetit: www.azhbr.gov.al, është kusht skualifikues. Aplikimet e dorëzuara apo të marra pas skadimit të afatit përfundimtar do të skualifikohen automatikisht. Aplikimet e dorëzuara pa formatin e kërkuar të Formularit të Aplikimit do të skualifikohen automatikisht. Aplikimet e dorëzuara pa formatin e kërkuar të Planit të Biznesit do të skualifikohen automatikisht.