Në Muzeun Historik të Lushnjës janë të ekspozuara veshje tradicionale të zonës së Myzeqesë, ku bën pjesë edhe Divjaka. Janë veshje për gra e për burra, për fëmijë, madje edhe veshje të përdorura për ditë feste. Sipas etnologëve, që në kohët më të hershme zona e Myzeqesë karakterizohej për prodhimin e pëlhurave në tezgjah. Thuajse çdo shtëpi kishte tezgjah, me të cilin popullsia e kësaj treve përmbushte nevojat për veshje të të gjitha llojeve. Përveç punimit me vegje, një vend me rëndësi zënë edhe punimet me thurje me shtizë, punim i cili është zhvilluar vazhdimisht. Ka qënë traditë, që çdo vajzë e familjes myzeqare ta përgatiste vet pajën e martesës (këtë traditë të punimit, vajza e mësonte që në moshën 7 vjeçare). Lënda e parë në punimin e veshjeve popullore prodhohej në vend, brenda familjes. Materialet që përdoreshin më shumë ishin liri, pambuku, leshi e, më pak, mëndafshi. Në zonat kodrinore punohej edhe gjineshtra (xana). Kur ajo rritej, mund ta përdorje për të prodhuar shtresa, trasta, litar etj.
Nga përdorimi i shumtë i lirit për veshjet e holla dhe, më tepër, për veshjet e stinës së verës ka prejardhjen edhe emertimi “Të linjtat”. Punimi i leshit kishte përdorim më të gjerë në veshjet myzeqare, sidomos në veshjet e jashtme për stinën e dimrit, shtresat dhe mbulesat si për verë, edhe për dimër. Për t’i bërë më funksionale dhe më të bukura, shtresat e leshit i derstilnin, duke krijuar push me trashësi e dëndësi më të madhe. Kjo gjë bëhej vetëm nga mjeshtra të veçantë.
Zakonisht, të preferuara në punimin e veshjeve kanë qënë ngjyrat e bardha, pastaj ngjyra e zezë, ajo kafe, apo dhe çili. Më vonë u përdorën të gjitha ngjyrat, si dhe kombinimi i tyre. Ngjyra e bardhë, çili dhe e zeza ishin natyrale, që vinin nga vet liri, pambuku dhe leshi i zi, ose i bardhë, ose çile i dhisë. Këto prodhime ishin me leverdi ekonomike dhe me pak shpenzime. Për zbardhjen sa më të mirë, përdorej edhe larja me finj. Ngjyra kafe përfitohej nga lëkurat dhe frutat e arrës, shegës, ftoit etj. Ngjyra e zezë përfitohej nga delet me lesh të zi. Prodhimi në tezgjah ka qënë më i përhapuri, sepse jepte rendiment të lartë, por në shumë raste punimi bëhej edhe me shtiza. Kështu pçrgatiteshin çorape, triko, shalle, breza, kokore, dorashka, si dhe qilima dhe shtresa për fëmijë etj. Veç çorapeve, mund të përdoreshin edhe lëkurat e kafshëve, duke i qepur në formën e këmbës. Përdoreshin nallanet e drurit, ndërsa më vonë, edhe këpucët me forma karakteristike, dekolte me rrip, me toka për gratë dhe me lidhëse për burrat. Me daljen e meshinit dhe llastikut, këto materiale u përdorën edhe për prodhimin e opingave. Burrat e, sidomos, gjahtarët për kërcet e këmbës përdornin edhe kollçina meshini, ose tirqe leshi, sidomos në kostumin me qillota, kur doli artizanati.
Myzeqarët kanë qënë mjeshtra të vërtetë edhe për prodhimin e qilimave të llojeve të ndryshme, por më karakteristik është ai me thekë, që përdorej për miqtë dhe si dyshekë për pajën e nuses, pasi dysheku nuk ka qenë i përhapur më parë në Myzeqe. Ky qilim shtrohej sipër rrogozit prej kashte, ose sipër ndonjë qilimi të vjetër, ndërsa kur dhomat ishin të shtruara me dërrasë, ai vihej sipër dërrasave (thekët dilnin 3-5 cm sipër qilimit). Duke qënë një punë artistike, duhej të ishe mjeshtër për ta prodhuar këtë qilim.
Nga të gjitha llojet, punimet e leshit kanë qënë më të përhapura dhe më të preferuarat, prandaj ato visheshin në raste festash, gëzimesh e për miqësi.
Në të gjitha llojet e veshjeve gjen zbukurime e qëndisje të ndryshme, gjë e cila tregon për shijen e së bukurës, si dhe për mjeshtërinë e punimit të myzeqarit. Këto zbukurime e qëndisje bashkë me llojet e punimit dhe format e tyre përbëjnë ato karakteristika dhe motive, që i dallojnë prodhimet tona dhe përcaktojnë zonën etnografike. Në shumë raste kur shtëpia nuk kishte grua apo vajza të rritura, mësonte të punonte në vegje, ose me shtiza edhe burri. Punimet dhe veshjet myzeqare dallohen edhe për cilësinë e tyre të fortë dhe jetëgjatësinë. Në prodhimin e mjeteve të punës përdorej druri, thupra dhe kallami, më vonë u përdorën edhe mjetet prej hekuri.
Në territorin e nënprefekturës së Lushnjës numëroheshin deri në 16 kostume tradicionale të Myzeqesë, 8 për gra dhe 8 për burra.
VESHJET E FEMRAVE
1. Kostumi veror me pjesët: mbulesë koke, linjë, veshje të brëndshme, mëngë, përparëse, brez leshi, çorape e nallane, ose opinga. Më vonë, kur doli basma e gatshme e kameria, këtij kostumi iu shtuan edhe kotulla me tantellë poshtë.
2. Kostumi dimëror me pjesët: fustan leshi dhe shami koke, zbukurime metalike sermi e të tjera, si veshjet e mësipërme.
3. Kostumet me çitjane me kokë levere, për përparëse përdorej bokshja e kodrës dhe, në vend të mëngëve të qendisura, përdorej jeleku, i cili, përveç qëndisjeve me fije, kishte edhe rruaza e pjesë të tjera metalike. Ky lloj kostumi tregon ndikimin turk në etnografinë tonë.
4. Kostum me dimi, i cili ngjason shumë me atë të çitjaneve, por në vend të çitjaneve ka dimitë. Edhe ky është i ndikimit turk, por që janë përshtatur me tonat.
5. Kostumi i gruas myzeqare i prodhuar me copa stofi, por me qëndisje të motiveve tona, si: lulet, shqiponjat etj. Për jelek ky kostum përdorte kadifen me push, ose ndonjë copë të mirë. Këtë lloj kostumi e përdornin vetëm shtresat e pasura, pasi ishte i kushtueshëm. Në fillim këto lloj kostumesh porositeshin, por më vonë mjeshtrat mësuan t’i qëndisnin vet.
6. Kostumi i kodrës, i cili ka ndryshime me atë të fushës, sepse linja është më e thjeshtë, më e ngushtë dhe, në vend të mëngëve të qëndisura të fushës, ky kostum ka jelekun e thjeshtë me zbukurime basme.
7. Një vend të veçantë dhe me rëndësi tek kostumi i gruas zë guna rrëke, që ishte veshje serioze dhe e kushtueshme, që përdorej nga çdo lloj moshe në raste festash e ceremonish. Guna prodhohej nga leshi dhe me qëndisma e motive të ndryshme. Kjo lloj gune nuk prodhohej nga çdo njeri, por nga artizanë të veçantë.
8. Një vend me rëndësi zë edhe kostumi i leshtë, me fustan komplet e me thurje me rrudha. Ky ishte kostumi dimëror dhe i vishej edhe triko sipër, kur fustani bëhej i hapur, ose në formën e palltos. Këtë lloj veshje e mbanin më tepër vajzat dhe nuset e reja për dimër. Gunat janë në shumë variante.
VESHJET E MESHKUJVE
1. Kostumi me fustanellë i përbërë nga fustanella, jeleku, xhamadani i leshtë, mëngorja, tirqe basme, çorape leshi, takie basme, brez leshi dhe pjesë të tjera me zbukurime.
2. Kostum me shallvare për fushën.
3. Kostume me shallvare për kodrën, i cili ndryshon nga ai i fushës si nga qepja, gjërësia. Në zonat kodrinore ky kostum është më i gjërë, me ngjyrë kafe etj.
4. Guna çile me lesh dhie, që përdoret më tepër për barinjtë. Ajo ishte shumë funksionale, sepse e kullonte mirë shiun, kjo si rezultat i mënyrës së punimit dhe i fijes së gjatë të leshit të dhisë çile.
5. Guna e zezë me lesh dele, ose guna e bujkut, siç i thonë, është përfaqësuese e veçantë e kostumit të burrave në Myzeqe. Ajo prodhohet nga leshi i deles së zezë nga vet myzeqarkat, me një tjerrje dhe endje të veçantë.
6. Kostumi i leshit i punuar me tezgjah: është me ngjyrë, i punuar dëndur, xhaketa dhe jeleku kanë qendisma. Jeleku është i prodhuar nga leshi dhe vishet në vend të xhamadanit të kostumeve me shallvare.
7. Kostumi me qillote, prodhim tezgjahu prej leshi. Me këtë lloj kostumi përdoren dhe tirqet e kollçinat e meshinta.
8. Kostumi me basmë të zezë. Ky kostum përdorej në stinën e verës në zonën e Çermës.
9. Takia. Në zonat fushore takia është e bardhë dhe me majë, ndërsa në zonën kodrinore ajo është me majë të shtypur. Zona kodrinore përdor, gjithashtu, edhe qeleshen e sheshtë. Në zonat kufitare takia përdoret rrallë.
Dr Niko Ferro
Fig. 1. “Çifti myzeqar”, fotografuar nga Karl Patch 1900
Fig. 2. Familje e madhe me veshje popullore.
Divjakë 1925
Fig. 3. Mësuesi Qazim Përmeti me nxënësit e shkollës fillore. Divjakë, viti 1925