Reklame:

Uji i ambalazhuar pa garanci cilësie, del në treg pa analiza!

 Raporti zbulon mungesë licencash, laboratorë të paakredituar, kontrolle të pakryera dhe mungesë totale koordinimi mes institucioneve

Kontrolli i Lartë i Shtetit publikoi një raport të gjerë mbi cilësinë dhe certifikimin e ujit të pijshëm të ambalazhuar. Raporti vlerëson punën e Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Bujqësisë, ISHP, AKU, strukturave rajonale dhe Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore në periudhën 2020 deri 2024. Auditorët konstatuan se sistemi aktual nuk garanton sigurinë e produktit që konsumojnë çdo ditë mijëra qytetarë. Institucionet shtetërore nuk zbatojnë detyrimet ligjore për kontrollin, monitorimin dhe analizimin e ujit të ambalazhuar. Përplasje kompetencash, mungesë koordinimi dhe kuadër ligjor i paqartë kanë prodhuar një sistem të copëzuar dhe pa garanci.

Raporti evidenton se AKU licencon stabilimentet pa verifikuar nëse operatorët zotërojnë paraprakisht lejen e përdorimit të burimit ujor, edhe pse kjo leje është detyrim ligjor. Stabilimentet pajisen me licenca pa afat, ndërsa institucionet nuk shkëmbejnë informacion për rastet kur lejet e burimit pezullohen apo revokohen. Në raport thuhet se mungesa e bashkëpunimit mes AKU dhe Agjencisë së Burimeve Ujore krijon një boshllëk të rrezikshëm në mbikëqyrjen e produktit. Po sipas auditimit, modeli i tanishëm i dhënies së burimeve ujore nuk garanton konkurrencë dhe nuk siguron kritere të qarta për investimet. Institucionet nuk monitorojnë në vazhdimësi plotësimin e kushteve dhe nuk kryqëzojnë të dhënat që lidhen me burimet dhe licencat.

Raporti thekson se laboratorët e AKU, ISHP dhe NJVKSH nuk janë të akredituar, ndonëse legjislacioni i detyron të përdorin metoda sipas standardeve ISO. Përfaqësues të ISHP kanë pranuar gjatë takimeve me auditorët se instituti nuk ka akreditim të vlefshëm. Të tre institucionet përdorin analiza të pjesshme dhe nuk mbulojnë të gjithë parametrat e detyrueshëm. KLSH vlerëson se rezultatet e prodhuara nga laboratorë të paakredituar nuk kanë vlefshmëri të plotë ligjore për monitorimin e tregut.

Plani vjetor i analizave nuk është realizuar në asnjë vit të periudhës së auditimit. AKU ka kryer nga 56 për qind deri në 84 për qind të analizave të planifikuara. Në vitin 2023 u realizuan vetëm 128 analiza nga 206 të parashikuarat. Qarku Fier nuk ka kryer asnjë mostër për katër vite. Në Vlorë u kryen vetëm 7 nga 17 mostrat e planifikuara. Në Gjirokastër u kryen 98 mostra, por për secilën u analizua vetëm një parametër. Ndërkohë Korça shënoi anomalinë e vetme me rritje të pakontrolluar të mostrave, nga 11 të planifikuara në 94 të kryera. Auditorët konstatuan se analiza të rëndësishme mikrobiologjike apo kimike nuk kryhen dhe një pjesë e mirë e treguesve mbetet jashtë kontrollit.

Situata paraqitet edhe më problematike në Pikat e Inspektimit Kufitar. Në PIK Durrës nuk është marrë asnjë mostër për ujin e ambalazhuar të importuar që nga janari 2023. Strukturat e AKU kanë deklaruar se nuk e kryejnë kontrollin për shkak të mungesës së tarifave të shërbimit në udhëzimin e Ministrisë së Bujqësisë. Auditorët nënvizojnë se ky interpretim ka pezulluar kontrollin e një prej kategorive më të ndjeshme të produkteve që hyjnë në vend.

Raporti i KLSH përfundon se institucionet nuk kanë garantuar mbrojtjen e konsumatorit. Procedurat për licencimin e burimeve ujore dhe stabilimenteve kanë mangësi serioze. Laboratorët nuk plotësojnë kriteret e detyrueshme. Analizat nuk kryhen sipas planit. Bashkëpunimi mes institucioneve mungon. KLSH ka dhënë rekomandime me afate të detyrueshme dhe i ka kërkuar institucioneve të rishikojnë procedurat, të akreditojnë laboratorët dhe të vendosin kontroll të plotë nga burimi deri te tregu.

Pjesë nga raporti

-Për licencimin e stabilimenteve për prodhimin e ujit të pijshëm të ambalazhuar, AKU nuk ka të parashikuar si pjesë procedurale verifikimin nëse operatori i biznesit e disponon paraprakisht lejen e përdorimit të burimi ujor, pavarësisht se pajisja me leje është një kërkesë e ligjit për burimet ujore dhe Rregullores “Cilësia e ujit të pijshëm”. Lejet e stabilimentit të cilat miratohen prej saj janë pa afat të përcaktuar dhe bëhen objekt ri-vlerësimi pjesor, kur ndryshon drejtuesi teknik, vendndodhja etj. Në rast të përfundimit apo pezullimit/revokimit të lejes së përdorimit të burimit, stabilimenti nuk mund të funksionojë për përpunim dhe ambalazhim, pasi uji është lënda e parë e tij. Nuk evidentohet asnjë lloj bashkëpunimi mes AKU dhe AMBU lidhur me stabilimentet apo lejet e burimit në drejtim të shkëmbimit të informacionit apo tjetër. Mos përfshirja e lejes së burimit ujor në dokumentacionin e detyrueshëm përpara licencimit të stabilimentit nga ana e AKU dhe mungesa e bashkëpunimit me AMBU, nuk garanton një procedurë të përshtatshme të kontrollit ushqimor për këtë produkt.

-Procedurat për prodhimin dhe certifikimin e ujit të ambalazhuar paraqesin mangësi, lidhur me proceset dhe procedurat e ndjekura lidhur me miratimin e lejeve për përdorim të burimeve ujore, licencave të stabilimenteve të prodhimit si edhe monitorimin e përmbushjes së kushteve të tyre. Modeli aktual për dhënien në shfrytëzim të burimit ujor nuk garanton konkurrueshmëri dhe kritere të cilat të garantojnë ecurinë e investimeve. Nga ana tjetër, mos përfshirja e lejes së burimit ujor si kusht për licencimin e stabilimenteve dhe mungesa e monitorimit në vijimësi mbi disponimin e tyre krijon risk në garantimin e sigurisë për këtë produkt. Problematikë mbetet gjithashtu mungesa e bashkëveprimit me institucione të tjera për kryqëzimin e informacioneve të ndërsjellta.

-Laboratorët AKU, NJVKSH dhe ISHP nuk janë të certifikuar/akredituar. Sipas rregullores për ujin e pijshëm, laboratorët që kryejnë analizat duhet të përdorin metoda sipas standardit ndërkombëtar ISO, dhe rrjedhimisht duhet të zotërojnë laboratorë të akredituar.

Nga pyetësorët/intervistat e kryera gjatë auditimit, rezulton se asnjë nga institucionet publike përkatëse që kryejnë analizimin e cilësisë së ujit të pijshëm përfshirë AKU, institucion nën varësi të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, NJVKSH dhe ISHP, nën varësinë e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, nuk zotërojnë aktualisht laboratorë të akredituar për të gjithë parametrat e përcaktuar në legjislacionin në fuqi. Gjatë një takimi të zhvilluar me përfaqësues të Institutit të Shëndetit Publik, grupit të auditimit i është bërë e ditur se ISHP nuk është i akredituar, megjithëse përdor metoda analitike të bazuara në standardet ISO dhe ka kryer validimin e metodave që përdor. Pavarësisht këtij validimi, mungesa e akreditimit zyrtar e bën procesin e analizës të papërputhshëm me kërkesat e VKM-së dhe cenon vlefshmërinë ligjore të rezultateve analitike për qëllime monitorimi. AKU nuk ka përmbushur planin vjetor të analizave për ujin e pijshëm të ambalazhuar.

-AKU si institucioni përgjegjës për sigurinë ushqimore në zbatim të ligjit për ushqimin analizon mostra sipas planit vjetor me bazë risku. Mostrat e ujit të pijshëm të ambalazhuar analizohen për verifikuar përputhshmërinë me kërkesat ligjore dhe nënligjore për ushqimin dhe urdhrat për ujin mineral. Marrja e mostrave nga AKU ka për qëllim të garantojë që, uji i ambalazhuar që del në treg, të plotësoj kërkesat për sigurinë dhe cilësinë ushqimore, duke përfshirë analizat mikrobiologjike dhe kimike që përcaktohen në rregulloret përkatëse. Në këto plane janë përcaktuar llojet e analizave që do të kryhen dhe laboratorët. Grupi i auditimit ka konstatuar se realizimi i analizave vjetore për ujin e pijshëm të ambalazhuar ka qenë me i ulët se ai i planifikuari. Sipas të dhënave të marra nga Drejtoria e Përgjithshme e AKU-së realizimi i analizave nga AKU në Pikën e Inspektimit Kufitar (PIK) dhe në Terren në rang vendi, përgjatë viteve 2020 – 2024, konkretisht paraqitet si më poshtë:

-Në vitin 2020, janë realizuar 205 analiza nga 244 të planifikuara (84 %).

-Në vitin 2021, janë realizuar 213 analiza nga 382 të planifikuara (56 %).

-Në vitin 2022, janë realizuar 217 analiza nga 264 të planifikuara (82 %).

-Në vitin 2023, janë realizuar 128 analiza nga 206 të planifikuara (62 %).

-Në vitin 2024, janë realizuar 131 analiza nga 172 të planifikuara (76 %).

Ndryshe nga qarqet e tjera, në Fier nuk është kryer asnjë mostër gjatë gjithë periudhës objekt auditimi, çka përbën një boshllëk të dukshëm në mbikëqyrjen laboratorike në këtë zonë. Gjithashtu, në Vlorë realizimi ka qenë i ulët. Nga 17 mostra të planifikuara janë kryer vetëm 7, të gjitha në terren. Janë analizuar parametra si lënda e thatë në 105°C, fortësia, kalciumi, magnezi dhe bikarbonatet, për ujë mineral natyral.

Në Gjirokastër janë realizuar 98 mostra nga 142 të planifikuara. Nga to, 67 janë marrë në terren dhe pjesa tjetër në PIK. Megjithëse numri i mostrave është i lartë, për to është raportuar vetëm një analizë për mostër (lëndë e thatë), tregon një përqendrim të kufizuar në treguesin bazë për secilin produkt.

Ndërkaq, në Korçë, është vërejtur një tejkalim i ndjeshëm i planit të fillestar, pasi janë kryer 94 mostra edhe pse ishin parashikuar vetëm 11.

-Analizat për ujin e pijshëm të ambalazhuar nuk realizohen plotësisht sipas kërkesave ligjore. Laboratorët nuk janë të akredituar, kapacitetet janë të kufizuara dhe nuk përfshihen të gjithë ndotësit e detyrueshëm. Plani i analizave nuk përmbushet, ndërsa legjislacioni nuk pasqyron standardet më të reja të BE-së. Si rrjedhojë, mbikëqyrja e produktit ujë i ambalazhuar paraqitet e pa mbuluar.

-Prej vitit 2023 në PIK Durrës nuk janë kryer marrje mostra për Ujin e pijshëm të ambalazhuar të importuar. Në vlerësimin e marrjes së mostrave nga strukturat e AKU-së në Pikat e Inspektimit Kufitar (PIK), u evidentua fakti se në PIK-un Durrës, nuk janë kryer marrje mostra për Ujin e pijshëm të ambalazhuar të importuar nga data 01.01.2023 dhe në vijim. Kjo me pretendimin se, në Udhëzimin e Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Nr.19, datë 22.11.2022 “Për tarifat e të ardhurave dytësore të aplikueshme nga institucionet vartëse të MBZHR”, nuk ka tarifa shërbimi për analiza nga laboratorët e AKU-së. Ky udhëzim është vetëm për ISUV-in, ku në faqe 536, artikujt nr.110-116 janë paraqitur 7 lloje analizash dhe në kolonën “Matrica” është shënuar “Uji i pijshëm”, duke mos e specifikuar nëse është uji i pijshëm i rrjedhshëm apo i ambalazhuar? /Marrë nga Pamfleti