Njoh plot bujq që kanë ullinj shekullorë dhe ankohen për rënie të prodhimit, aq sa i lënë pa vjelur. Por cfarë ka ndodhur në këto 35 vjet? Shumë specialistë të ullirit nuk po dinë t’i japin përgjigje këtij problemi. Shpesh janë thirrur nga fermerët për të dhënë zgjidhje, por ka qënë një dështim i plotë. Ullishtat e Krujës, Tiranës, Vorës, Elbasanit, Beratit, Vlorës, Sarandës janë në degradim të plotë, dhe janë miliona pemë ulliri që mund të jepnin mbi 200 kg ullinj për cdo pemë duke ndikuar në rritjen e prodhimit kombëtar.
Ullinjtë shekullorë në Shqipëri kanë histori mijëra vjecare. Këta ullinj i janë përshtatur terrenit në mënyrë perfekte, por gjithmonë të vëzhguar nga bujku shqiptar, duke gjetur metodat praktike më të mira për prodhim. Ulliri ka një lidhje të magjishme me habitatin ku ndodhet; ullinjtë shekullorë janë përshtatur ndaj mikroflorës specifike që shpesh imponohet nga mjedisi përreth.
Por cfarë ndryshoi pas viteve ’90 që ullinjtë filluan dalngadalë të ulnin prodhimin? Mos vallë mungoi vëmendja nga bujku? Kjo nuk mund të thuhet, edhe pse në shumë raste u braktisën. Pati bujq të cilët vazhduan punën në ullishte me të njëjtat njohuri që kishin para viteve ’90, por rendimenti përsëri binte.
Faktori kryesor i uljes së rendimentit në ullishta është pakësimi dhe zhdukja e racave autoktone të deleve, dhive dhe lopëve. Racat autoktone kanë bashkëjetuar mijëra vite me ullirin dhe kanë krijuar si të thuash “martesën e lumtur” mes tyre. Kafshët kanë ndikuar direkt në ruajtjen e balancës së plehërimit, në mbajtjen nën kontroll të erozionit, në mbajtjen nën kontroll të barërave që shpesh konkurrojnë ullirin në fazat e vegjetacionit, si dhe kanë ndikuar drejtpërdrejt në uljen e popullatës së mizës së ullirit.
Ulliri është bimë azot-dashëse dhe këtë azot e ka marrë në mënyrë të ekuilibruar gjatë gjithë vitit nga kullotja e kafshëve dhe vetë pemët, pasi rrënjët e pemëve janë përshtatur për ta marrë ushqimin në kohën e duhur. Me rënien e numrit të bagëtive në kullota, ullinjtë shekullorë humbën ekuilibrin natyral mijëra vjecar të ushqyerjes.
Një nga zgjidhjet për ullishtat e vjetra është shtimi i racave autoktone të zonës dhe kullotja e lirë gjatë gjithë vitit. Brenda 3 vitesh do shihni një ndryshim të madh. Me shtimin e kafshëve do hiqni dorë nga inputet e shtrenjta dhe do të krijoni të ardhura nga bagëtitë dhe nënproduktet e tyre.
Një studim shkencor 11-vjecar i kryer në Portugali nga Paulo Dimande, Margarida Arrobas, Carlos M. Correia, Manuel Ângelo Rodrigues, që përfundoi në vitin 2024, konfirmoi se kullotja e kafshëve në ullishta jep më shumë përfitime ekonomike dhe mjedisore se metodat konvencionale.
Rezultati i kerkimit në Portugali në 11 vjet ishte ky: Në toka të frezuara dhe të plehëruara me pleh kimik u morën 225.1 kg për pemë, në toka me herbicid dhe pleh kimik u moren 230.9 kg për pemë dhe me kullotjen e deleve dhe dhive u morën 245.0 kg për cdo pemë. Për të marrë rezultate të larta me kullotje duhet menaxhim i kullotjes me faza.
Shkruar nga Alban Çakalli/specialist Bujqësie

