Reklame:

Autoriteti Dosjeve kujton Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit

Në 4 Maj, Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, kujtojmë se informacioni dhe e drejta për t’u shprehur lirshëm janë një e mirë publike thelbësore për çdo shoqëri demokratike. Kjo ditë na rikthen vëmendjen te mijëra shqiptarë të dënuar për “agjitacion e propagandë”, plagë që vijojnë të lënë gjurmë të thella në kujtesën tonë kolektive.

Dënimi i gazetarëve, gjykimet e padrejta dhe, në jo pak raste, ekzekutimi i tyre, përbënin mekanizmat më të ashpër për të mbytur fjalën e lirë, mendimin kritik dhe opinionin e pavarur.

Kujtojmë sot fatin e gazetarëve dhe intelektualëve të pushkatuar si Nebil Çika, Kolë Berisha, Aleks Mavraqi, Gjon Shllaku, Lazër Shantoja, Fadil Kokomani, Vangjel Lezho.
Të tjerë humbën jetën nën tortura, si Xhemal Farka, apo në burgje, si Fiqiri Llagami, Rrok Kolaj, Kristo Floqi, Et’hem Haxhiademi.

Dhjetëra të tjerë u burgosën, survejuan dhe internuan: Musine Kokalari, Zoi Xoxe, Petro Marko, Mitrush Kuteli, Lazër Radi, Arshi Pipa, Pashko Gjeçi, Fatos Lubonja, dhe shumë të tjerë, emrat e të cilëve janë pjesë e historisë së shtypit dhe rezistencës intelektuale në Shqipëri.

Me instalimin e diktaturës, kontrolli mbi shtypin dhe kulturën u bë total. Çdo botim, gazetë apo transmetim kalonte përmes filtrit ideologjik të Partisë. Institucionet e propagandës drejtonin përmbajtjen, ndërsa mendimi ndryshe ndëshkohej.

Revista si “Hylli i Dritës” dhe “Përpjekja Shqiptare”* u ndaluan dhe u zhdukën nga qarkullimi. U censuruan dhe u ndaluan veprat e autorëve si Gjergj Fishta, Faik Konica, Ernest Koliqi, Ndre Mjeda, Musine Kokalari, duke i privuar brezat nga një trashëgimi e çmuar kulturore.

Shtypi u kthye në instrument propagande. Gazeta si “Zëri i Popullit”, “Bashkimi”, “Zëri i Rinisë”, “Drita” apo “Sporti Popullor” dhe dhjetëra botime të tjera funksiononin nën kontroll të plotë politik.

Censura preku çdo fushë të jetës: median, artin, letërsinë dhe muzikën. Një ndër shembujt më domethënës mbetet ndëshkimi i artistëve pas Festivalit të 11-të në RTSH, ku krijimtaria u dënua si “devijim ideologjik”, duke çuar në burgime dhe internime.

Sot, kujtesa për këto histori nuk është thjesht një rikthim në të shkuarën,është një thirrje për të mbrojtur lirinë e shprehjes, për të garantuar të drejtën për informim dhe për të mos lejuar që heshtja të rikthehet si normë.

Shumë prej tyre si Fadil Kokomani, Vangjel Lezho Fatos Lubonja ka vuajtur me burgim ne Spaç ndersa Lezho dhe Kokomani pas denimit janë denuar edhe me pushkatim. Ne se doni të dini më tepër për ta lexoni në faqen web spaç.al.
Liria e shtypit është themeli i së vërtetës.

Gentiana Mara Sula @highlight Autoriteti Dosjeve