Të nderuar kolegë dhe bashkëpunëtorë,
Kohët e fundit ka patur një reagim të fuqishëm sa i përket draftit për kodin e ri penal dhe ndryshimet që ai ka pësuar nga hartuesit. Shumë sektorë të shoqërisë si Gazetaria, Shoqëria Civile apo edhe vetë drejtësia e kanë gjetur veten të paqartë apo të trysnuar deri në limite nga këto ndryshime apo propozime të bëra publike dhe ku pjesëmarrja e grupeve të interesit ka qënë thuajse zero.
Cila është situata aktuale e sektorit të Shoqërisë Civile aktualisht? Po ndajmë me ju një analizë të situatës së sektorit të organizatave jofitimprurëse në Shqipëri, bazuar në gjetjet e Raportit të Matricës së Monitorimit mbi Mjedisin Mundësues për Zhvillimin e Shoqërisë Civile, përgatitur nga Partnerët Shqipëri.
Sektori i organizatave jofitimprurëse në Shqipëri po përballet me një mjedis gjithnjë e më sfidues. Legjislacioni mbetet shpesh i kufizuar dhe jo i harmonizuar me nevojat reale të sektorit. Financimi publik është i pamjaftueshëm, dhe me tërheqjen e donatorëve bilateralë dhe reduktimin e ndihmës së huaj, sfida e qëndrueshmërisë financiare është thelluar, duke vënë në rrezik vazhdimësinë e shumë shërbimeve dhe rolin e tyre thelbësor në zhvillimin shoqëror, ekonomik dhe demokratik të vendit.
Për më tepër, përfshirja formale dhe jo thelbësore e OJF-ve në proceset vendimmarrëse e vështirëson ushtrimin e plotë të rolit të tyre si aktorë të rëndësishëm në forcimin e demokracisë, llogaridhënies dhe pjesëmarrjes qytetare.
Këto sfida ndikojnë drejtpërdrejt në përmbushjen e standardeve të kërkuara nga agjenda e integrimit evropian, ku një shoqëri civile e fuqizuar dhe e përfshirë është thelbësore për procesin e demokratizimit dhe forcimin e shtetit të së drejtës.
Për më shumë informacion dhe analizë të thelluar, ju ftojmë të lexoni raportin e plotë, i cili përfshin zhvillimet gjatë vitit 2024 dhe disa zhvillime kryesore deri në mars të vitit 2025.