Reklame:

Projekti që do të ndryshojë përgjithmonë sigurinë e ushqimit në tryezat tona: – Salla

Ministri i Bujqësisë Andis Salla u shpreh në një dalje publike (deklaratë) se autoritetet shtetërore po avancojnë me hapa të shpejtë në tre prej kapitujve më të rëndësishëm të anëtarësimit: sigurinë ushqimore (Kapitulli 12), zhvillimin rural (Kapitulli 11) dhe peshkimin (Kapitulli 13).  Salla tha se rëndësia  e projektit “EU for Food Safety” është jetike. Ky program evropian synon të ngrejë një sistem funksional dhe të besueshëm që do t’u garantojë qytetarëve produkte ushqimore të sigurta, duke përmbushur njëkohësisht standardet e rrepta të BE-së

Sipas të dhënave të bëra publike, vëmendja kryesore i është kushtuar akreditimit dhe zbatimit të shpejtë të masave rregullatore, të cilat pritet të sjellin përfitime konkrete dhe të menjëhershme jo vetëm për konsumatorët, por edhe për fermerët vendas dhe sipërmarrjet e sektorit agroushqimor.

Qëllimi parësor është rritja e kapaciteteve dhe forcimi i institucioneve, hapa këto që konsiderohen si elementë kyç për suksesin e reformave integruese. Për të arritur këto rezultate ambicioze, është rikonfirmuar nevoja për një bashkëpunim të ngushtë, transparent dhe të bazuar në besim me të gjithë partnerët ndërkombëtarë.

Deklarata e Plotë:

Është kënaqësi t’ju mirëpresim sot në Tiranë, në një moment të rëndësishëm, ku shënojmë njëkohësisht Ditën Botërore të Sigurisë Ushqimore 2026 dhe lançimin e projektit EU4Food Safety. Më lejoni, së pari, të shpreh mirënjohjen tonë të sinqertë për Bashkimin Evropian, Delegacionin e BE-së, Qeverinë Gjermane dhe GIZ, si dhe për të gjithë partnerët që kanë kontribuar në këtë nismë. Ne e vlerësojmë lart këtë bashkëpunim dhe mbështetjen e vazhdueshme që na është ofruar gjatë gjithë këtij procesi.

Zonja dhe zotërinj, Siguria ushqimore është një shtyllë themelore për shëndetin publik, për mbrojtjen e konsumatorit dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit agro-ushqimor. Ajo është gjithashtu një element kyç për rritjen e aftësisë konkurruese të prodhuesve shqiptarë dhe për afrimin e tyre me tregun evropian. Në këtë kuadër, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural mbetet plotësisht e angazhuar në ndërtimin e një sistemi modern, të besueshëm dhe të harmonizuar me standardet e Bashkimit Evropian.

Ne po avancojmë në mënyrë të qëndrueshme në:

·         forcimin e kapaciteteve institucionale dhe koordinimin ndërinstitucional;

·         përmirësimin e sistemeve të kontrollit dhe inspektimit;

·         rritjen e standardeve për operatorët e biznesit ushqimor;

dhe zbatimin efektiv të legjislacionit në përputhje me acquis të BE-së.

Në këtë kontekst, projekti EU4Food Safety vjen në një moment kyç për Shqipërinë. Ai përbën një mbështetje të rëndësishme për konsolidimin e reformave dhe për forcimin e kapaciteteve tona në fushën e sigurisë ushqimore. Ky projekt do të na ndihmojë të kalojmë nga identifikimi i sfidave drejt zbatimit të zgjidhjeve konkrete dhe të qëndrueshme, duke garantuar një nivel më të lartë sigurie ushqimore për qytetarët.

Të nderuar të pranishëm, Qeveria Shqiptare dhe të gjitha institucionet përkatëse mbeten plotësisht të angazhuara për përmbushjen me sukses të reformave, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë evropianë. Ky angazhim lidhet drejtpërdrejt me avancimin e procesit të integrimit evropian.

Ne jemi duke ecur paralelisht në kapituj kyç:

·         Kapitulli 12 – Siguria Ushqimore, Politika Veterinare dhe Fitosanitare;

·         Kapitulli 11 – Bujqësia dhe Zhvillimi Rural;

Kapitulli 13 – Peshkimi;
si pjesë e një qasjeje të integruar për zhvillimin e sektorit dhe përmbushjen e detyrimeve tona në procesin e anëtarësimit.

Në këtë kuadër, programe si IPARD mbeten një instrument strategjik. Siç kemi theksuar edhe më parë, jemi plotësisht të angazhuar për avancimin e procesit të akreditimit dhe për fillimin sa më të shpejtë të zbatimit të IPARD III, në mënyrë që të sjellim përfitime konkrete për fermerët dhe sipërmarrjet agro-ushqimore.

Objektivi ynë është i qartë:

ndërtimi i një sistemi funksional dhe të besueshëm, i cili garanton ushqim të sigurt për qytetarët dhe njëkohësisht përmbush standardet e Bashkimit Evropian.

Zonja dhe zotërinj, Projekte si EU4FoodSafety janë thelbësore për të mbështetur këtë rrugëtim. Ato kontribuojnë në forcimin e institucioneve, në përmirësimin e qeverisjes dhe në rritjen e kapaciteteve për zbatim — elemente kyçe për suksesin e reformave dhe për avancimin drejt Bashkimit Evropian. Në përfundim, dëshiroj të rikonfirmoj se: mbetemi plotësisht të përkushtuar ndaj një bashkëpunimi të bazuar në transparencë, besim të ndërsjellë dhe partneritet. Jam i bindur se përmes këtij bashkëpunimi dhe angazhimit tonë të përbashkët, do të arrijmë rezultate konkrete dhe të qëndrueshme.

Ju faleminderit!

Marrë nga Dosja.al