Reklame:

Bimët Medicinale, operatorët e mëdhenj dyfishojnë xhiron!

Eksportet e bimëve mjekësore janë dyfishuar në dekadën e fundit, por biznesi është në dilemën e ruajtjes së identitetit të bimëve që rriten në gjendje të egër, apo kultivimin në fushë për të zgjeruar tregun.
Shpopullimi prej emigracionit të zonave ku rriten bimët e egra po rrit kostot në mal, teksa kultivimi në fushë nuk mbështetet me subvencione. Si po diversifikohen kompanitë në prezantimin e çajeve bio në tregun e brendshëm.

 

 

 

Eksporti i bimëve mjekësore, vitin e kaluar, arriti në 3.9 miliardë lekë, ose 29 milionë euro. Të ardhurat  që u realizuan nga shitjet u ndanë kryesisht mes 10 eksportuesve më të mëdhenj. Disa nga operatorët e mëdhenj patën rritje dyshifrore vitin e kaluar, por disa pësuan edhe rënie.

Filip Gjoka, i cili njëkohësisht është edhe zotërues i kompanisë më të madhe të eksportit të bimëve mjekësore, Filipi CO tha se, eksportet janë rritur në tërësi vitin e kaluar me 11%, me gjithë disa vështirësi që shfaqi tregu ndërkombëtar.

Ai tha se vitin e kaluar, çmimi i sherbelës në tregjet ndërkombëtare shënoi ulje dhe kjo frenoi rritjen e eksporteve shqiptare, të cilat në pjesën dërrmuese të tyre dominohen nga kjo bimë. Sipas të dhënave nga bilancet që referohen deri në vitin 2015 shihet një rënie e shitjes për operatorin më të madh në treg, Filipi CO me 4%, por siç pohon administratori i saj, situata është rikuperuar vitin në vijim. Shitjet e Filipi CO ishin 454,8 milionë lekë në vitin 2015 nga 477 milionë lekë në vitin 2014. Por ai tha se në vitin 2016, situata është përmirësuar, pasi Shqipëria eksporton gjithsej 80 bimë mjekësore aromatike, që kanë kompensuar rënien e çmimit të sherbelës.

Operatorët e tjerë të mëdhenj kanë pasur rritje. Kompania Xhedra çoi në 377 milionë lekë të ardhurat nga eksportet më 2015 duke pasur një rritje vjetore me 22%.
Gjithashtu Herba Fructus, operatori tjetër i madh i eksportit të bimëve mjekësore, i rriti të ardhurat nga shitjet me 31% në vitin 2015, në raport me një vit më parë, duke siguruar 438 milionë lekë të ardhura, ose 3,2 milionë euro xhiro vjetore.
Ritmet e rritjes së eksporteve ranë disi me vitin 2016, në 11%, por disa faktorë, sipas disa operatorëve, lidhen edhe me kultivimin e hashashit.

 

(Monitor)