Reklame:

Produktet me çmime te “kripura” – Pse paguani me shume per qepen dhe pataten?

Eksportet e produkteve bujqësore gjatë vitit 2018, kanë rezultuar në rritje, duke arritur në nivelin e 14.63 miliardë lekëve.

Ajo që vihet re në tregjet e fruta-perimeve është që dy produkte që prodhohen normalisht pothuajse në të gjithë zonat e vendit, si patatja dhe qepa kanë pasur një rritje të menjëhershme të çmimit që është aplikuar për qytetarët në tre muajt e fundit.

Po të analizojmë shifrat e Ministrisë së Bujqësisë, vihet re se prodhimi vendas i patates më së shumti ka shkuar jashtë, pasi eksporti është dyfishuar si në sasi edhe në vlerë, ku gjatë 2018, janë eksportuar 1522 ton patate nga 724 ton, me rritje në masën 119.3 për qind.

Ndërsa lidhur me këtë produkt, importi ka rënë, në 15 ton nga 17 që ka qenë një vit më parë, çka tregon që ajo që ka ndikuar në rritjen e çmimit ka qenë mungesa e prodhimit në vend dhe orientimi drejt tregjeve të huaja, i cili është me përfitim për fermerët pasi shesin me çmime më të larta.

Nga ana tjetër sa i takon produktit qepë, apo zarzavateve të tjera djegëse, vihet re një rritje e eksporteve me 10.7 për qind, ku gjatë vitit që lamë pas janë eksportuar 4906 ton.

Ndërsa importi i këtyre produkteve është rritur me 21.5 për qind, ku vitin që kaloi u importuan 8269 ton.

Rritja e eksportit dhe importi më i madh, ku zakonisht janë me kosto më të larta, kanë bërë që të rritet dhe çmimi i këtij produkti, ku qepa aktualisht tregtohet mesatarisht në 120 lekë.