Reklame:

Rritja e konsumit global te mishit po sjell perfitime te habitshme

Ndërkohë që afrikanët bëhen më të pasur, ata do të konsumojnë më shumë mish, do të jetojnë më gjatë dhe shëndetshëm

Gjërat ishin ndryshe 28 vjet më parë, kur Zhou Xueyu dhe burri i saj u zhvendosën në Pekin, duke u larguar nga provinca bregdetare e Shandongut dhe filluan tregtinë e mishit të freskët të derrit, shkruan The Economist.

Ata e hapën stendën e tyre të parë në tregun e vogël të Xinfadit. Vetëm në periudhat më të ngarkuara të vitit, për shembull gjatë ditëve festive, çifti Xueyu, arrinte të shiste edhe mbi 100 kg mish në ditë. Në vitet e para kur Kina po përjetonte bumin ekonomik, mishi i derrit konsiderohej një produkt luksi nga shumica e njerëzve. Sot, znj. Zhou shet rreth dy tonë mish në ditë. E rrethuar nga shumë ekspertë dhe duke prerë mishin me thikat e saj të mprehta, ajo shpjegon sesi biznesi është rritur gjatë viteve. Fillimisht, ajo e merrte furnizimin e mishit në disa prej provincave më të afërta. Sot, ajo mund të marrë furnizime me mish nga zona të ndryshme, duke nisur nga ato verilindore të Heilongjiangut deri tek ato të Sichuanit, në jugperëndim. Edhe tregu i Xinfadit ka ndryshuar.

Ai është rreth 100 herë më i madh, në krahasim me atë që ishte në vitin 1988, kur u hap për herë të parë. Midis viteve 1961 dhe 2013, një person në Kinë konsumonte mesatarisht në vit nga 4 deri në 62 kg mish. Rreth gjysma e sasisë së mishit të derrit në botë konsumohet në këtë shtet. Politikat bujqësore më liberale u lejuan fermave që të prodhojnë më shumë dhe të lënë pas kështu periudhën e vështirë të vitit 1961 gjatë së cilës banorët e Kinës po vuanin nga uria, e cila njihet edhe si “Hapi i Madh Përpara”. Arsyeja kryesore se përse kinezët po konsumojnë më shumë mish është thjesht sepse ata tani janë më të pasur se më parë.

Në shtetet e pasura është rritur numri i personave që janë bërë veganë dhe të cilët përdorin qumësht tërshëre kur duan ta konsumojnë këtë produkt. Por në pjesën më të madhe të botës, trendi është diçka krejt tjetër. Në dhjetëvjeçarin që parapriu vitin 2017, konsumi global i mishit u rrit me një mesatare prej 1.9% në vit, ndërsa konsumi i qumështit të freskët me 2.1%, rreth dy herë më shumë sesa rritja e popullsisë. Pothuajse katër të pestat e të gjithë tokave bujqësore përdoren për të ushqyer bagëtitë, duke përfshirë këtu jo vetëm kullotat, por edhe tokat bujqësore që përdoren për të rritur ushqim për bagëtitë.

Njerëzit kanë rritur dhe ushqyer kaq shumë kafshë për t’i përdorur ato pastaj për konsum, saqë biomasa e gjitarëve të Tokës mendohet se është katërfishuar që nga epoka e gurit. Dhe duke penguar rritjen e mishit në laboratorë, rritja ka gjasa të vazhdojë edhe në të ardhmen. Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO), një agjenci e OKB-së, vlerëson se numri i bagëtive ripërtypësve në botë (si: lopa, delja dhe dhia) do të rritet nga 4.1 miliardë në 5.8 miliardë midis 2015 dhe 2050, sipas një skenari të zakonshëm biznesi. Popullata e pulave, një prej shpendëve më të zakonshëm, pritet të rritet edhe më shpejt.

Ndërkohë gjeografia e konsumit të mishit po ndryshon. Vendet që ndikuan në rritjen globale të konsumimit të produkteve shtazore gjatë dekadave të fundit, nuk do të jenë po të njëjtat që do të luajnë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim në të ardhmen. Edhe shija e mishit ka ndryshuar. Në disa vende, njerëzit po kalojnë nga konsumi i mishit të derrit dhe deles tek ai i viçit, ndërsa në disa të tjera, mishi i viçit po zëvendësohet nga ai i pulave. Këto ndryshime dhe kalimi nga një lloj mishi në tjetrin dhe nga një shtet në tjetrin, kanë po aq rëndësi, sa edhe modeli i përgjithshëm i rritjes. Në një shkallë planetare, rritja e konsumit të mishit dhe të qumështit është një problem i rëndësishëm edhe në drejtim të mjedisit. Ndërsa në nivel lokal, ajo mund të shoqërohet edhe me avantazhe të shumta.

Në dekadat e fundit, asnjë kafshë nuk ka shënuar një rritje kaq të lartë dhe të shpejtë sa ajo e derrit kinez. Prodhimi vjetor i mishit të derrit në Kinë është rritur më shumë se 30 herë nga fillimi i viteve 1960, duke shkuar në 55 milionë tonë. Rritja e konsumit të mishit të derrit dhe të qumështit në Kinë, ka bërë që një pjesë e madhe e recetave ushqimore kineze t’u përafrohen atyre perëndimore, të pasura me proteina dhe yndyrë. Ndryshimi i mënyrës së të ushqyerit në Kinë është shoqëruar edhe me ndryshime në strukturën e jashtme të kinezëve. Kështu, për shembull, djemtë kinezë të grupmoshës 12-vjeçare ishin rreth 9 centimetra më të gjatë në vitin 2010 në krahasim me vitin 1985.

Ndërsa një vajzë kineze e po asaj grupmoshe shënoi një rritje prej 7 centimetrash. Djemtë, përveçse janë zgjatur më shumë sesa vajzat, janë shëndoshur edhe më shumë se ato. Në Kinë po shënojnë rritje edhe furnizuesit e mishit të derrit. Tre të pestat e mishit të derrit merren nga fermat që rrisin më shumë se 500 krerë në vit. Sipas Wan Hongjian, zëvendëspresident i WH Group Ltd, prodhuesi më i madh i mishit të derrit në Kinë, shifra të tilla do të rriten më shumë në vazhdim.

Sëmundjet janë një arsye. Ethet afrikane të derrave, një sëmundje virale, fatale për derrat, megjithëse e padëmshme për njerëzit, ka përfshirë edhe Kinën dhe ka çuar në therjen e rreth 1 milion derrave. Virusi është shumë i vështirë për t’u larguar dhe mund të mbahet larg vetëm nëse fermat ku rriten derrat do të kenë një higjienë të lartë pastërtie. Prodhuesit e mëdhenj ka më shumë mundësi që të arrijnë të jenë më të suksesshëm në këtë drejtim.