Reklame:

Kosove: Qytetaret alarmohen per frutat dhe perimet

Ditëve të fundit qytetarët kanë ngritur shumë dyshime për përmbajtjen e frutave dhe perimeve të importuara nga vende të ndryshme në Kosovë. Në bazë të një matësi të nitrateve në këto produkte, del se kosovarët ushqehen jo shëndetshëm. Por, me këto pretendime nuk pajtohen në  Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës.

Një qytetar i Prishtinës, i cili posedon këtë pajisje, ka postuar ditë më parë në rrjete sociale fotografi që dëshmojnë se niveli i nitrateve është 10 fish më i madh se sa norma e lejuar, duke e cilësuar gjendjen alarmante.

Sipas pretendimeve të cilat bazohen në disa njësi matëse, shihet se pemët dhe perimet kanë përmbajtje të lartë të nitrateve, madje në disa raste edhe qindra herë mbi masën e lejuar, gjë që paraqet rrezik për shëndetin e konsumatorëve kosovarë.

Ai  ka testuar edhe një  shalqi për përmbajtje të nitratit, ndërsa rezultatet kanë qenë të tmerrshme.  Sipas tij shalqiri mbanë 500 për qind më shumë nitartat se sa është norma e lejuar.

“Mbetjet e Nitratit ne shalqi ekstrem. Nuk lejohet ushqim me kaq shume Nitrat. Gati 500% me shume se sa është e lejuar kjo është realisht alarmante”, ka shkruar qytetari i cili ka testuar shalqirin.

Por, këto pretendime i ka hedhur Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV), duke thënë se çdo produkt që hynë në Kosovë i nënshtrohet kontrollit laboratorik dhe se nuk ka rrezik për shëndetin e konsumatorëve.

“Dyshimet të cilat janë ngritur në publik për prezencë të nitrateve në fruta e perime i kemi përcjell me seriozitet. Të gjitha informatat i kemi mbledhur dhe i kemi trajtuar. Matjet me mjete apo aparatura amatore nuk japin rezultatet të cilat ne mund të bazohemi. Kontrolli zyrtarë shtetërore bazohet në ligje, rregullore dhe udhëzime administrative të cilat në vete përmbajnë edhe limitet e përbërësve, ndotësve dhe kontaminantëve”

Sipas Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës gjatë kontrolleve nuk është hasur në ndonjë produkt të dyshimtë.

“Të gjitha ngarkesat që hyjnë në vendin tonë janë duke u kontrolluar nga inspektorët sipas procedurave standarde për kontroll. Në ketë sezon kur rritet importi për fruta-perime, ne ngrisim masat e nivelit të kontrollit për këto produkte. Nga të dhënat e kufirit për ketë vit deri me tani të gjitha ngarkesat me fruta perime u janë përgjigjur kushteve të sigurisë për import. Gjatë kontrolleve nuk kemi hasur në ndonjë produkt të dyshimtë. Po ashtu të gjitha mostrat qe i kemi marrë deri me tani kanë rezultuar brenda limiteve të cilat u përgjigjen kushteve për konsum”.

Në AUV thonë se të gjitha mostrat që i kanë marrë vitin e kaluar për testim në prezencë të nitrateve kanë rezultuar negative në të gjitha llojet fruta e perime të cilat janë testuar.

“Ketë vit kemi marrë mostra në produkte të ndryshme në import dhe i kemi dërguar në Institutin Bujqësor në Pejë për analiza në prezencë të nitrateve. Po sa t’i kemi rezultatet do t’i bëjmë publike dhe masat ndërmerren bazuar në rezultate dhe procedurat ligjore”.

Kujtojmë se ka vite që është ngritur shqetësim tek qytetarët për cilësinë e frutave dhe perimeve të importuara nga vendet e huaja, por edhe ato të prodhuara në Kosovë. Shqetësimi ka ardhur pasi shpeshherë është thënë se fermerët po aplikojnë metoda jo të rregullta në rritjen e frutave dhe perimeve, duke përdorur pesticide të shumta.

Ndërkohë, video dhe fotografi të tilla të publikuara ditë më parë edhe në Shqipëri, kanë bërë që kryeministri Edi Rama të paralajmërojë masa të rrepta, duke përfshirë edhe burgim deri në 10 vjet për ata që mashtrojnë me produkte ushqimore. (monitor)