Reklame:

Menyra e te ushqyerit shkak kryesor per semundjet e zemres

Stili i jeteses dhe dietat ushqimore renditen si shkaktaret kryesore te semundjeve kardiovaskulare te cilat perbejne shkakun kryesor te vdekjeve ne shqiperi.

Sëmundjet e qarkullimit të gjakut janë shkaktari kryesor i vdekjeve në vendin tonë, por disa qytete shihet se kanë prevalencën më të lartë të jetëve të humbura nga simptomat kardiovaskulare.
Sipas të dhënave të INSTAT për vdekjet nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut, të përpunuara nga Monitor në raport me popullsinë, në vitin 2018 qytetet e Korçës, Beratit, Gjirokastrës, Shkodrës dhe Vlorës ishin qytetet me numrin më të lartë të jetëve të humbura (për 100 mijë banorë).

Në qytetin e Korçës numri i vdekurve nga zemra për 100 mijë banorë ishte 510 persona, më i larti në vend, i ndjekur ngushtë nga Berati, me 508 jetë të humbura për 100 banorë. Siç duket Korça dhe Berati janë qarqet që vuajnë më së shumti sëmundjet që vijnë nga zemra e dobët.

“Zemra” po vret me shumë moshat e reja

Sipas INSTAT, në vitin 2018, vdekjet nga grup sëmundja “Aparati i qarkullimit të gjakut” zënë 53,2 % të vdekjeve gjithsej. Ky grup sëmundje vazhdon të jetë shkaku kryesor i vdekjeve, me një nivel vdekshmërie 404,7 për 100 mijë banorë dhe krahasuar me vitin paraardhës ka një ulje prej 2,7 %.

Prevalenca si te femrat ashtu dhe te meshkujt është e barabartë, me 50.2% të rasteve që ishin meshkuj.

Të dhënat e vitit të kaluar tregojnë se sëmundja vrau 20 për qind persona më shumë në moshën 0-34 vjeç, në raport me një vit më parë. Sëmundjet e qarkullimit të gjakut vranë vitin e kaluar 139 persona në moshë të re (0-34 vjeç) nga 115 gjatë vitit 2017.

Në 2018-n u shënuan 33 vdekje nga sëmundjen e aparatit të qarkullimit të gjakut te fëmijët nën 1 vjeç, ose 32% më shumë se një vit më parë.

Për grupmoshat 30-34 vjeç, rasti i fataliteteve ishte 30, në dyfishim në raport me 2017-n.

Ndërsa të moshuarit duket se po i mbajnë më nën kontroll sëmundjet e aparatti të qarkullimit të gjakut, me vdekjet mbi moshën 65 vjeç, që u reduktuan me 3% në 2018-n.

Shkaqet

Shkaktari kryesor i kësaj sëmundje është stili i jetesës dhe dieta ushqimore. Në vitet 1990, Shqipëria kishte numrin më të ulët të prevalencës së vdekjeve nga sëmundjet kardiovaskulare se në të gjitha vendet e rajonit. Në fillim të tranzicionit, vdekjet nga kjo diagnozë ishin 125 persona për 100 mijë banorë, ndërsa në vitin 2018 arrti në 404 për 100 mijë banorë.

Numri i jetëve të humbura nga sëmundjet kardiovaskulare thuajse është trefishuar në tre dekadat e fundit të tranzicionit.

Vdekshmëria nga sëmundja ishemike e zemrës në Shqipëri është më e larta në rajonin e Europës Juglindore referuar Barrës Globale e Sëmundjeve, gjithashtu tumoret janë në rritje.

Ekspertët rendisin disa arsye të cilat lidhen me stilin e jetesës që kanë krijuar shqiptarët vitet e fundit. Shtimi i produkteve të mishit pas viteve 1990 dhe i sasisë së yndyrave, shmangia nga dieta mesdhetare me fruta dhe perime të freskëta dhe konsumi i vakteve me ushqime të gatshme janë shkaktarët kryesorë të sëmundjeve të zemrës.

Mjekët pohojnë se jeta sedentare pa aktivitet fizik është po aq shkaktare sa dieta ushqimore. Në përgjithësi, mentaliteti i të ushqyerit mirë në Shqipëri lidhet me konsumin e bollshëm të mishit dhe yndyrave, ndërkohë që në vendet e zhvilluara vlerësohet ushqim i mirë konsumi i frutave dhe perimeve bio. (monitor)