Reklame:

Shtohen kantinat, pakesohet prodhimi i rrushit

Prodhimi i rrushit në vend pësoi një rënie të fortë vitin e kaluar, çka përbën një goditje për traditën e prodhimit të pijeve alkoolike, por edhe për biznesin, gjithnjë e më në modë, të prodhimit të verës.

Sipas Institutit të Statistikave, prodhimi i rrushit ra në 185 mijë tonë, afro 9% më pak krahasuar me vitin 2017.

Po të shohim statistikat e viteve të fundit, prodhimi i rrushit nuk duket të përputhet me rritjen e numrit të kantinave dhe markave të verës në treg.

Kjo ngre pikëpyetje mbi besueshmërinë e shumë prej prodhimeve që shohim në treg.

Sipas vetë tregtarëve, një pjesë e verës që tregtohet si prodhim shqiptar në fakt importohet nga jashtë dhe thjesht ambalazhohet në Shqipëri, duke mashtruar konsumatorin për origjinën e produktit.

Në përgjithësi, për prodhimin bujqësor shifrat ishin pozitive, megjithëse nuk shënuan ndryshime të mëdha nga tendenca e viteve të fundit.

Mbështetur në të dhënat e Institutit të Statistikave, Shqipëria po prodhon më shumë perime, fruta dhe foragjere ndërsa në rënie është prodhimi i drithërave dhe bimëve medicinale.

Prodhimi i perimeve arriti në 1.17 milionë tonë, në rritje me 1.2% krahasuar vitin 2017. Afërsisht 22% e prodhimit total të perimeve vjen nga serat. Prodhimi i frutave u rrit me 4.5%, i agrumeve me 11%, ndërsa i ullinjve me 9%.

Ndërsa bujqësia shfaqi një tendencë kryesisht pozitive, viti 2018 nuk ishte shumë i mbarë për blegtorinë shqiptare.

Prodhimi i qumështit  ishte rreth 1,14 milionë ton, duke shënuar një rënie me rreth 1%, në krahasim me një vit më parë. Numri i gjedhëve u pakësua me 2%, ndërsa ai i bagëtive të imta ra me afërisht 3% krahasuar me vitin 2017.

Ndër të paktat zhvillimeve pozitive për blegtorinë vitin e kaluar ishte kthimi i rritjes në biznesin e rritjes së shpendëve.

Numri i tyre arriti në afro 8.4 milionë krerë, me një rritje me 7%. Kjo bëri që prodhimi i vezëve të rritej në 828 milionë kokrra, 2% më shumë krahasuar me vitin 2017. (SCAN)