Reklame:

Shqiperia do te eksportoje qingja dhe keca drejt Arabise Saudite, firmoset marreveshja

Shqipëria do të eksportojë qingja dhe keca në Arabinë Saudite. Ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi priti delegacionin arab të kryesuar nga Zv.ministri i Bujqësisë në Arabinë Saudite, Ahmed Saleh A. Alkhamshi, në një diskutim për bashkëpunimin tregtar midis dy vendeve. Bisedimet u fokusuan kryesisht në eksportin e kafshëve të gjalla, qingjave dhe kecave, eksportin e fruta-perimeve, të jonxhes dhe produkteve të akuakulturës.

“Në të shkuarën ne kemi pasur një historik shkëmbimesh tregtare mes dy vendeve, por nuk ka qenë në nivele të mjaftueshme. Tani janë të gjitha mundësitë që ne të rrisim bashkëpunimin sidomos në fushën e eksportit të prodhimeve bujqësore e blegtorale. Bujqësia dhe zhvillimi rural është një nga sektorët kyç në ekonominë shqiptare. Ne i kemi kapacitetet dhe ky është momenti të intensifikojmë raportet tregtare” tha ministri Çuçi.

Pala arabe shprehu interes të veçantë për zgjerimin në Shqipëri të tregut të hurmave, një produkt tipik i tyre me vlera ta larta ushqyese e kurative.

Për konkretizimin e këtij bashkëpunimi, sidomos për nisjen e eksportit të qingjave dhe kecave nga Shqipëria, u dakordësua ngritja e një komisioni të përbashkët, për njohjen e procedurave të çertifikimit hallall dhe më pas do të nënshkruhet marrëveshja mes dy ministrive.(SCAN)