Reklame:

Fondet e BE-se ne bujqesi, si te aplikoni per thirrjet e IPARD

Kur mbetet më pak se një muaj kohë për përfitimin nga Thirrja e Dytë IPARD në fushën e bujqësisë, Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural fton të gjithë fermerët që të përfitojnë dhe shpall disa mekanizma lehtësues. Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar rithekson problematikat si disbursimi me vonesë i fondeve për vitin 2018, mungesa e certifikimit të pronave dhe informaliteti në sektor.

Në datën 16 dhjetor mbyllen aplikimet për fondet IPARD II, i cili është Instrumenti i Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA) për Zhvillimin Rural (IPARD), me qëllim zhvillimin e Sektorit Agroushqimor. Thirrja e parë e këtij programi vinte në dispozicion 50.33 milionë euro, nga të cilat 75 %, ose 37.74 milionë euro, kontribut i BE-së dhe 25 %, ose 12.58 milionë euro, kontribut i buxhetit të shtetit. Ndërsa Thirrja e dytë vë në dispozicion 57.68 milionë euro, nga të cilat 75 %, ose 43.26 milionë euro, kontribut i BE-së dhe 25 %, ose 14.42 milionë euro, kontribut i buxhetit të shtetit.

Në takimet me fermerët dhe agropërpunuesit është bërë e ditur se, subjektet e skualifikuar në thirrjen e parë, kanë mundësinë e riaplikimit.
Një risi e shpallur me hapjen e thirrjes së dytë, më 30 tetor, është ofrimi i mekanizmave lehtësues në këtë proces, i cili mendohet se ka “penalizuar” shumë fermerë, që nuk arritën të përfundonin dokumentacionin e kërkuar në thirrjen e mëparshme. Kreu i Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, znj. Frida Krifca, thotw se risitë në thirrjen e dytë janë disa mekanizma lehtësues si:

  • Rritja e pragut të xhiros së SME nga 5,000,000 në 12,000,000 euro, për sa i përket masës 3.
  • Rritja e pragut të xhiros së SME nga 1,000,000 në 2,400,000 euro, në lidhje me masën 7.
  • Aplikimi në më shumë se një sektor brenda një mase.
  • Afati për dorëzimin e dokumenteve nga 15 ditë kalendarike bëhet 15 ditë pune.

Si dokument i vlefshëm pronësie shërben edhe kontrata e qirasë/kontrata e huapërdorjes / kontrata e përdorimit me afat 10 -vjeçar.
Sektori ende vuan disa problematika të mbartura. Sipas Agim Rrapaj, kreut të Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, mungesa e certifikimit të pronës së subjekteve, informaliteti i lartë dhe burokracia janë disa nga problematikat e konstatuara. “Mospajisja e subjekteve me NIPT. Nga 354 mijë fermerë në të gjithë vendin, vetëm 40.779 mijë janë pajisur me NIPT. 354 mijë ferma duhen organizuar në Shoqëri të Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB)” – thotë z. Rrapaj, i cili shton se duhet të bëhen plane ngushtësisht në bashkëbisedime me fermerët.

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural është një ndër aktorët kryesorë që ka informuar dhe ndihmuar në përthithjen e fondeve IPARD. Çfarë interesi kanë pasur këtë vit gjatë nisjes së thirrjes së dytë të fondeve IPARD?

Ndihem e vlerësuar për konsideratën e shprehur për institucionin që drejtoj. Jemi përpjekur të bëjmë maksimumin për të arritur absorbimin e fondeve IPARD, për t’i injektuar këto fonde në zhvillimin e bujqësisë në Shqipëri. Ky program, për nga rëndësia, përfshin shumë aktorë në proces dhe partneri ynë kryesor është qeveria shqiptare dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. – deklaron Frida Krifca, kreu i Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural.

Në rastin e Programit IPARD, partner shumë i rëndësishëm për implementimin me sukses është Bashkimi Europian. AZHBR, si një institucion i akredituar për administrimin e fondeve nga BE, dhe si Autoriteti Kontraktues, ka në fokus zhvillimin e një bujqësie të qëndrueshme dhe diversifikimin e ekonomisë rurale. Detyra jonë, si agjenci zbatuese, është kontrolli dhe financimi i projekteve sipas kritereve, konform rregullores së BE-së dhe qeverisë shqiptare, në mënyrë që lëvrimi i fondeve të shkojë në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit.

AZHBR është duke zbatuar Programin IPARD II. Faza e parë e aplikimit u mbyll me një numër të lartë aplikimesh, përtej pritshmërive tona. Në total u dorëzuan 317 dosje aplikime për programin përkatës. Jemi të angazhuar për t’u asistuar në zhvillimin e fermerëve dhe sipërmarrësve dhe fermës sonë, me ndikim pozitiv në ekonominë e vendit. Aktualisht jemi në fazën e kontraktimit të subjekteve që kanë aplikuar në thirrjen e parë, si dhe siç e dini, kemi çelur thirrjen e dytë nga programi. Shpejt për të folur, por shohim se wshtw rritur interesi nga fermerët dhe agropërpunuesit me ide të konsoliduara dhe të qarta.

Çfarë problematikash janë reflektuar në aplikime? A ka pasur thjeshtëzime të mëtejshme në përgatitje dokumentacioni?

Gjatë thirrjes së parë janë vërejtur disa problematika në dosjet e aplikimeve, çështje që janë reflektuar në thirrjen e dytë, duke lehtësuar procedurat e aplikimit, por edhe duke ju dhënë mundësi më të mëdha për përfitimin e granteve. Vijnë si risi në thirrjen e dytë disa mekanizma lehtësues si:

  • Rritja e pragut të xhiros së SME nga 5,000,000 në 12,000,000 euro, për sa i përket masës 3.
  • Rritja e pragut të xhiros së SME nga 1,000,000 në 2,400,000 euro, në lidhje me masën 7.
  • Aplikimi në më shumë se një sektor brenda një mase.
  • Afati për dorëzimin e dokumenteve nga 15 ditë kalendarike bëhet 15 ditë pune.
  • Si dokument i vlefshëm pronësie shërben edhe kontrata e qirasë/kontrata e huapërdorjes/kontrata e përdorimit me afat 10-vjeçar.

Aplikimet do të jenë të hapura deri më datë 16 dhjetor 2019. Si kanë qenë aplikimet deri më tani dhe ku ka qenë fokusi i kërkimit të mbështetjeve?
Pas një fushate informimi në media vizive dhe të shkruar, si dhe me takime të drejtpërdrejta me të gjithë grupet e interesit në 12 qarqet e vendit, me fermerë, agropërpunues dhe sipërmarrës në zonat rurale, mund të them se interesi është i lartë për fondet në bujqësi dhe konkretisht për programin IPARD II.

Thirrja do të qëndrojë e hapur nga data 30 tetor deri më 16 dhjetor. Në takimet me fermerët dhe agropërpunuesit publikisht jam shprehur se subjektet e skualifikuar në thirrjen e parë, kanë mundësinë e riaplikimit. Specifikisht, këto subjekte kanë marrë informacionin e saktë, pas shkëmbimeve zyrtare dhe kanë tashmë të qartë gabimet në dosjen e aplikimit, të cilat mund t’i reflektojnë në thirrjen e dytë. Procesi i dorëzimit të aplikimeve ka filluar me ritme pozitive. U bëj thirrje të gjithë fermerëve dhe sipërmarrësve të mos lënë dorëzimet në ditët e fundit, pasi kjo vështirëson procesin në tërësi.

A janë vërtet grantet të aksesueshme për të gjithë sipërmarrësit e sektorit? Si mund t’u përqasen fermerëve më të vegjël dhe më pak të informuar në një zonë të caktuar të Shqipërisë?

Procedura dhe dokumentacioni i nevojshëm për të aplikuar janë bërë publike në faqen zyrtare të AZHBR-së dhe MBZHR-së, i cili është i aksesueshëm në kohë dhe në hapësirë, që do të thotë se kushdo, në çdo moment që dëshiron, nga çdo qytet, apo fshat mund të marrë informacionin dhe dokumentacionin e nevojshëm për aplikim. Gjithashtu, fushata informuese u organizua në mënyrë të tillë që të jepte informacionin e duhur për të gjithë palët e interesuara, përfshirë edhe fermerët e vegjël. Në këtë kontekst, sesioni i pyetje-përgjigjeve mori nga ana jonë vëmendje të veçantë, ku shumë pyetje morën përgjigje në terren gjatë takimeve në çdo qark. Fakti që në thirrjen e parë kanë aplikuar shumë fermerë të vegjël do të thotë se jemi në rrugën e duhur, por që do të përmirësohet edhe më tej në thirrjet e ardhshme.

Dëshiroj të theksoj se ky proces nuk mbaron këtu, pasi janë ngritur 20 Agropika, ku çdokush mund të marrë informacionin dhe ndihmën që i nevojitet, si dhe krahas kësaj është edhe shërbimi i ekstensionit i MBZHR-së, i gatshëm dhe i pranishëm për çdo informacion, apo dokument që mund të kërkohet nga aplikantët.

Ndihma dhe informacioni vazhdon edhe pas mbylljes së fushatës informuese, pasi AZHBR ka vënë në dispozicion një numër kontakti pa pagesë, adresën e e-mail, si dhe pritjen në ambientet e AZHBR qendër të cilitdo që është i interesuar për të marrë informacionin e duhur.

IPARD II së shpejti shpall fituesit.Cilat mund të jenë masat e mëtejshme për mbështetjen e prodhimit vendas?

Programet zhvillohen përmes një diskutimi të gjerë me grupet e interesit, specialistët, duke identifikuar nevojat që ka bujqësia dhe disponueshmërinë e programeve aktuale, të cilat mbështesin bujqësinë. Nëpërmjet diskutimeve me grupet e interesit si fermerë, agropërpunues, operatorë të agroturizmit etj., identifikohen nevojat për të cilat kanë këta sektorë.

Më tej, ekspertët e fushës hartojnë pikat kryesore dhe zhvillojnë analiza sektoriale, në të cilat do të zhvillohen masat e mbështetjes, duke pasur parasysh programet dhe projektet aktuale të mbështetjes (për të shmangur mbivendosjen e masave të mbështetjes) dhe disponueshmërinë e fondeve.
Dua të theksoj se për masat e mbështetjes nga qeveria shqiptare për vitin 2020, është ngritur grupi i punës, i cili do të merret me evidentimin e nevojave për sektorët përkatës dhe reflektimin e tyre në formën e masave të mbështetjes direkte dhe investime.

Besoj se, me fondet e Programit IPARD II me rreth 94 milionë euro, fondet e Shërbimeve Mjedisore nga Banka Botërore dhe qeveria suedeze dhe fondet e qeverisë shqiptare përmes Programit për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, bujqësia shqiptare ka një mundësi shumë të mirë për zhvillimin e saj.
Sfida është që ne t’u krijojmë një qasje sa më efektive fermerëve dhe agropërpunuesve me këto fonde, që ata të përthithin sa më shumë dhe sa më mirë, për të rritur konkurrueshmërinë dhe efektivitetin e aktiviteteve të tyre bujqësore.

“Problematika në disbursimin e fondeve, mungesa në certifikimin e pronave dhe informalitet në sektor”

A kanë funksionuar skemat kombëtare të subvencionit dhe skema e fondeve IPARD?

Kemi dy skema kryesore, financime nga buxheti dhe IPARD II. Skema e parë, planifikimi, ka qenë në përgjithësi e miratuar nga buxheti i shtetit, ka pasur planifikim fondesh, por disbursimi ka qenë në nivele të pakënaqshme. Në 2017, 12 % u arrit niveli disbursimi, në 2018 ka qenë e ulët sërish. Ndërsa në 2019, pati ndryshim nga 20 mln euro planifikim, zbriti 4.5 mln euro. Kjo përsëri nuk u disbursua 100 %. Problem mbetet disbursimi. Dhe kjo duhet theksuar sipas Agim Rrapaj, kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar.

10 dite drejt mbylljes se aplikimit të IPARD-IIÇfarë problematikash janë evidentuar gjatë aplikimit? Shumë fermerë ankohen për dokumentacion të gjatë dhe njëkohësisht për problemin e certifikatave të pronësisë…

Arsyet janë komplekse: mund t’i grupoj sipas sektorit privat, ai i ka të nevojshme këto fonde, por gjen vështirësi për plotësimin e dosjeve. Vështirësia e parë është mungesa e certifikatës së tokës, lejes së ndërtimit. Problematika të tjera përfshijnë kreditë, gjobat që kanë bizneset. Problem tjetër janë kostot e produktit të cilat nuk arrihen që të përfshihen në një plan biznesi, se janë të ndikuara nga çmimet e naftës dhe energjisë momentalisht. Mungesa e mekanizimit është një tjetër problematikë që mund të përmend. Po ashtu edhe burokracia, duke hartuar kushte jo në përputhje me realitetin, pengohen dhe vonohen fermerët. Duhet të bëhen plane ngushtësisht në bashkëbisedime me fermerët dhe kjo është përgjegjësi e organeve publike. Por edhe zbatuesit kanë përgjegjësinë e tyre, pasi ndërrohen drejtorë, ka mangësi në profesionalizëm etj.

Raportohet se sektori ka informalitet të lartë që i pengon të përfitojnë nga fondet. Sa e vërtetë është kjo?

Është shumë e vërtetë, nga 354 mijë të regjistruar, vetëm rreth 50 mijë janë me NIPT. Është pengesë shumë e madhe që ndikon thellësisht. 354 mijë ferma duhen organizuar në Shoqëri të Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB).

Për sa i përket programimit të fondeve grant, si qëndron Shqipëria krahasuar me vendet e tjera të rajonit?

Ka pasur vonesa në skemën kombëtare, por edhe për hapjen e fondeve IPARD. Për skemën kombëtare pati një reduktim, nga 20 milionë euro në vitin e kaluar, këtë vit ishim në 4.5 – 5 milionë euro. Kjo për arsye të kompensimit që u bë nga fondet e IPARD-it. Ndaj, krahasuar me rajonin, Shqipëria e ka për herë të parë dy thirrjet, padyshim disburson më pak. Nga faza e parë, janë lidhur 20 kontrata deri më tani, rreth 330 aplikime, nga ku shpresojmë të kualifikohet deri gjysma e tyre.

Cilat janë problematikat kryesore me të cilat po përballet sektori bujqësor në tërësi?

Bujqësia është një ndër sektorët që ka më pak fitim, një ndër sektorët ku mekanizimi është i nivelit më të ulët në rajon, është sektor i copëzuar dhe ka shumë probleme, të cilat sektorët e tjerë nuk i kanë. Ikja nga zonat rurale e të rinjve dhe braktisja e tokave krijoi problemin e madh të mungesës së fuqisë punëtore. Ky fenomen tashmë ka vetëm një zgjidhje, hartimin e një programi. Nëse ne nuk bëjmë një program të posaçëm për zgjidhjen e problemeve, atëherë nuk kemi asnjë të ardhme në këtë sektor.

Cilat janë masat e mëtejshme që duhet të merren nga qeveria për mbështetjen e prodhimit vendas?

Fillimisht, duhet analizuar procesi i mosdisbursimit. Duhen nxjerrë me detaje, shkaqet dhe detyrat, të përmirësohen në çdo hallkë. Prodhimi vendas do të vazhdojë të ketë vështirësitë që përmendëm. Këto vështirësi krijohen nga kushtet e pafavorshme të motit, kostoja e lartë e prodhimit, ku përmendim koston e inputeve, por edhe çmimin e karburantit, energjisë.
Hap tjetër që nevojitet është të lehtësohen procedurat. Ka një vullnet të mirë nga Brukseli për këtë, për IPARD 2, duhet reflektuar nga AZHBR që të kenë më pak procedura.

Thirrja e parë IPARD

Nga 317 aplikime të ardhura në AZHBR, 188 kanë aplikuar për “Investime në fermë”, 65 për “Investime për përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale” dhe 64 për “Diversifikimin e fermës dhe zhvillimin e biznesit në zonat rurale”, me kërkesë për fond rreth 56 milionë euro. Buxheti për thirrjen e parë, është 50.33 milionë euro, nga të cilat 75 % ose 37.74 milionë euro, kontribut i BE-së dhe 25 %, ose 12.58 milionë euro, kontribut i buxhetit të shtetit.

Thirrja e dytë IPARD

Buxheti i përgjithshëm në dispozicion të kësaj thirrje është 57.68 milionë euro, nga të cilat 75 % ose 43.26 milionë euro kontribut i BE dhe 25 %, ose 14.42 milionë euro kontribut i buxhetit të shtetit.
Masa 1: me buxhet total, 24.05 milionë euro, me një minimum prej 10,000 euro dhe maksimum 500,000 euro. Përqindja e mbështetjes është 60 % të totalit të shpenzimeve të pranueshme të investimit, 65 % nëse investimi bëhet nga një fermer i ri (nën 40 vjeç), 70 % për investimet në zonat malore.
Masa 3: me buxhet total 22.75 milionë euro, me një minimum 25,000 euro dhe maksimum 2,000,000 euro. Përqindja e mbështetjes me fonde publike është 50 % e totalit të shpenzimeve të pranueshme të investimit.
Masa 7: me buxhet total 10.87 milionë euro, me një minimum 10,000 euro, maksimumi 400,000 euro. Përqindja e mbështetjes me fonde publike është 65 % e totalit të shpenzimeve të pranueshme të investimit.

Aktualisht, janë kryer rreth 3281 aplikime në total, kërkesat më të larta janë për masën nr. 1. Për tufën bazë të matrikuluar, për fermat me jo më pak se 100 krerë dele dhe/ose dhi, në vlerën 1000 lekë/krerë (1071 aplikime).
Vijon me masën nr. 2. për dorëzimin e qumështit lëndë e parë, në vlerën 10 lekë/litër në pikat e përpunimit, për fermat që mbarështojnë lopë dhe/ose të imëta, kundrejt faturës tatimore të shitjes (1051 aplikime).

Masa nr. 3 për mbështetje në bletari (610 aplikime). Masa nr. 5 për Mbjelljen e ullinjve në vlerën 350 000 lekë/ha, për format intensive të kultivimit, dhe në vlerën 250 000 lekë/ha, për format tradicionale (344 aplikime). Si dhe masa nr. 6. Përmirësimi i teknikave të ujitjes, nëpërmjet instalimit të ujitjes me pika në ullinj, me financim deri 250 000 lekë/ha (191 aplikime).

Fondi i Shtetit për 2019

Fondi i subvencioneve prej 5 milionë eurosh, i miratuar në buxhetin e vitit 2019 për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ofron afro 4 milionë euro për rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve blegtorale e të peshkimit, si dhe uljen e kostove të prodhimit nëpërmjet pagesave të kafshëve të matrikuluara, për dorëzimin e qumështit, açuget dhe sardelet e peshkuara, ndërsa një pjesë do të shkojë për mbështetjen e diversifikimit të aktiviteteve ekonomike në zonat rurale.

1 milion euro të tjera do të shkojnë si grante për projektin “Zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit të ullirit”, do të përdoret për shtimin e sipërfaqeve të mbjella me ullinj, për përmirësimin e mekanizimit dhe rritjen e kapaciteteve të prodhimit të vajit të ullirit. (Monitor)