Reklame:

Projekti 67 milione USD i BB, per sistemet e ujitjes: Punimet nuk mbyllen dot ne afat

Projekti me Bankën Botërore për sistemet e ujitjes që përfundon në 31 maj të këtij viti duket se ka hyrë në një fazë të re që institucioni financiar e konsideron pozitiv por gjasat për të mbyllur në kohë të  gjithë punët janë të pakta.
Në raportin e fundit të publikuar nga ekipi që ka bërë vlerësimin e zbatimit nënvizohet se zbatimi i projektit ka qenë më i mirë gjatë tre ose katër muajve të fundit. “Aktualisht, ministria, ekipi i menaxhimit, komunat, kontraktorët dhe mbikëqyrësit po tregojnë angazhim në zbatim në mënyrë që të kompensohen vonesat e kaluara sa të jetë e mundur. Në përgjithësi niveli i disbursimit ka treguar përmirësim të ndjeshëm nga niveli ku ishte pesë muaj më parë.

Megjithatë pavarësisht entuziazmit dhe angazhimit për të kapur ritmin përfundimi i zbatimit të sistemit të ujitjes në zonën e Janjarit dhe projekti pilot për ujin me presion në zonën e Divjakës brenda datës 31 maj 2020 nuk do të jetë e mundur” vlerëson Banka.

Ndër të tjera në dokument ekipi i Bankës vlerëson se janë disa çështje që duhet të shihen me prioritet në këtë projekt ku së pari ministria dhe ekipi i menaxhimit të projektit këshillohen që të mbështetje dhe mbikëqyrje të bashkërenduar të zbatimit për të përfunduar tashmë aktivitetet e kontraktuara deri në datën e mbylljes së projektit aktual.

Misioni nga ana tjetër rishikoi mundësitë për përmirësim në detaje dhe i ka bërë rekomandimet përfshirë takimet e përjavshme të zbatuesve, komunikimin aktiv dhe vizitat në terren.

Ekipi rekomandon një  fokus të veçantë në vlerësimin e ofertave për sistemin  e Janarit dhe procesin e kontraktimit, për të cilin tenderimi u bë në 6 dhjetor 2019.

Miratimi i Këshillit Kombëtar të Ujit i Planeve të Plota të Menaxhimit të Baseneve Lumore vonohet prej kohësh dhe ka nevojë për bashkërendimesh palëve për ta miratuar atë.

Projekti për sistemet e ujitjes ka marrë aprovimin e bankës në vitin 2012 dhe u bë efektiv në maj 2013. Data origjinale e tij e mbylljes ishte 31 maji 2018 por u shty me deri në maj 2020. Në total banka financon nga projekti një shumë prej 66.74 milionë dollarësh.(Monitor)