Reklame:

Sipermarresi shqiptar ne Rome jep ushqim falas per njerezit ne nevoje – “Ne shqiptaret e njohim varferine”

Shqiptari Edmond Prenga, pronari një furre buke pranë Piazza Bologna të Romës, filloi një fenomen që është përsëritur nga bizneset e tjera lokale përreth Romës.
39-vjeçari Prenga, pronar i furrës së bukës Bon Pan në Via Lorenzo il Magnifico, vendos çanta me bukë jashtë dyqanit të tij në mëngjes, falas për ata në vështirësi financiare, si rezultat i humbjes së punës nga Coronavirusi.
Ai i lë çantat nën një mesazh në italisht: “Nëse ju duhen, kjo është për ju”, krahas mesazhit të shpresës së Italisë: “Andrà tutto bene” (Gjithçka do të jetë në rregull).
Prenga shpjegon arsyen e këtij akti: “Kam provuar urinë, kam mbërritur në Itali në vitin 1998 pa asnjë liretë, unë i di mirë këto probleme” – i tha ai gazetës romane ‘Il Messaggero’ – “Kështu që vendosa të ofroja qeset me bukë, sepse mendova se njerëzit kanë turp të kërkojnë ushqim dhe se do të ishte më mirë t’i lija atje në njërën anë.” Italia e mirëpriti Prengën 22 vjet më parë dhe tani ai thotë se dëshiron të kthejë favorin. “Ne u rritëm me legjendën e Italisë si fëmijë në Shqipëri. Endërruam të vinim këtu. Marrëdhënia me ju italianët është e fortë” – i tha Prenga Il Messaggero – “Ne shqiptarët e dimë varfërinë, sot po rimëkëmbemi, por nuk ka qenë gjithmonë kështu.”

Prenga thotë se ata që marrin çantat me ushqim janë “njerëz normalë, shumë janë italianë, ata kanë një shtëpi për të fjetur por nuk mund të blejnë më ushqim për veten dhe fëmijët e tyre”.

Duke iu referuar vendimit të kryeministrit shqiptar Edi Rama për të dërguar një ekip prej 30 mjekësh për të ndihmuar Italinë në urgjencën e Coronavirus, Prenga tha: “Unë mendoj se Edi Rama bëri një gjë të bukur, e cila tregon zemrën e madhe të shqiptarëve dhe lidhjet me Italinë.”

Tregtarët fqinjë, të gjithë të huaj, ndoqën shembullin e Prengës, raporton Il Messaggero, përfshirë
pronarin e supermarketit lokal, Jamal 38-vjeçar nga Egjipti. (Politiko.al)