Reklame:

Sa e rrezikon vetepunesimin situata e pandemise se COVID-19

Një në çdo tre të punësuar është i vetëpunësuar, në sipërmarrjen e tij, apo në bizneset e vogla familjare. Shumë prej këtyre bizneseve kanë ulur prej disa ditësh qepenat për t’u vetizoluar në shtëpi, si masë për ndalimin e përhapjes së COVID-19.

Të vetmet biznese që qëndrojnë hapur, me orar të kufizuar, lidhen drejtpërdrejt me furnizimin ushqimor apo farmaceutik të popullatës.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se rreth 30% e të punësuarve në vend punojnë në biznese të vogla me 1 deri në 4 të punësuar. Sipas të dhënave nga Informacionit Ekonomik të Ndërmarrjeve, në vitin 2018 operonin 93,995 ndërmarrje me 1 deri në 4 të punësuar, të cilat përbënin 87.4% të totalit të ndërmarrjeve ekonomike në vend. Sipas përllogaritjeve, në ndërmarrjet e vogla punësohen mesatarisht 1.6 punonjës, diçka më pak se dy.

Pas kapërcimit të situatës emergjente që ka shkaktuar pandemia në gjithë botën, pasojat më të vështira do t’i ketë biznesi i vogël dhe të vetëpunësuarit, të cilët po përballeshin me vështirësi edhe para përhapjes së virusit, me konkurrencën nga bizneset e mëdha dhe konsumin e ulët.

Për të përballuar këtë situatë, bizneset e vogla, në një shkresë drejtuar Qeverisë dhe Ministrisë së Financave, paralajmëruan për situatën e vështirë që po kalojnë subjektet e vogla e të mesme dhe kërkuan marrjen e disa masave për ta mbështetur atë, ashtu siç po bëjnë qeveritë e vendeve të tjera të Europës.

Ata kërkojnë:

• Qeveria të shikojë sektor pas sektori mundësinë e veprimtarisë ekonomike, e varur kjo nga situata në të cilën vendi do ndodhet për shkak të pandemisë.
• Qeveria të krijojë mundësinë e shtyrjes së pagesave, gjobave dhe detyrimeve fiskale të biznesit ndaj shtetit.
• Rimbursimin e plotë të pagës së punonjësve.
• Rimbursimin e detyrimeve për derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
• Shtyrjen e pagesave të energjisë elektrike dhe ujit si dhe taksave vendore.
• Për bizneset që pësojnë dëme nga kjo situatë, qeveria të gjejë forma për kompensimin e plotë të tyre.
• Të përjashtohen bizneset nga taksa e pronës deri në përfundimin e krizës.
• Të kompensohet e plotë pagesa e qerasë, si dhe tatimit në burim i qiradhënësit, për të gjitha bizneset të cilat janë qiramarrës.
• Të shtyhen, për një periudhë të caktuar nga ana e qeverisë, deklarimet e bilanceve, për shkak të vështirësive të mbledhjes së dokumentacionit nga ana e kontabilistëve.
• Banka e Shqipërisë të injektojë para në treg për të ulur efektin e krizës.
• Zbutjen e normave të interesit, duke u krijuar bizneseve mundësi më të mëdha kreditimi.

Në Europë, Greqia dhe Italia me peshën më të lartë të të vetëpunësuarve në ekonomi. Bashkimi Europian, i dyti më i prekuri pas Kinës nga COVID-19, numëron rreth 32.6 milionë individë të vetëpunësuar, apo rreth 14% e totalit të të punësuarve në ekonomi. Ndër shtetet anëtare të BE-së, pothuajse një në çdo tre persona i punësuar në Greqi ishte i vetëpunësuar në vitin 2018 (30%) dhe rreth një në pesë në Itali (22%), në Poloni (18%) dhe Rumani (17%).

Nga ana tjetër, të vetëpunësuarit llogariteshin më pak se 10% të punësimit të përgjithshëm në Danimarkë dhe Luksemburg (8%), si dhe në Gjermani dhe Suedi (të dy 9%). Italia, vendi i dytë më i prekur pas Kinës dhe vatra më e nxehtë në Europë, ka ndërmarrë disa masa për të mbështetur ekonominë.

Të gjitha pagesat e taksave dhe kontributet që duhet të bëheshin në 16 mars janë ngrirë të paktën për një javë për emergjencën e koronavirusit, shkruajnë mediat italiane. Po shqyrtohet dhe një zgjatje e pagesave të TVSH-së. Këto shtyrje po bëhen me qëllim që t’u lihen bizneseve likuiditetet e nevojshme për të përballuar situatën.

Kredia tatimore për punëtorët e vetëpunësuar në Itali

Në kapitullin e taksave të dekretit, mund të zbatohet edhe përfshirja e një kredie tatimore për të mbështetur punëtorët e vetëpunësuar që kryejnë biznesin e tyre me qira, që u detyruan të mbylleshin për të respektuar masat e kontrollit të miratuara nga Qeveria për të frenuar sëmundje ngjitëse. Ekziston edhe hapësira për një “zbritje të koronavirusit” nga të ardhurat e biznesit për ata që mbështesin urgjencën shëndetësore, siç ka ndodhur në të kaluarën për katastrofat natyrore që kanë prekur Italinë në rajone të shumta. (Monitor)