Reklame:

Itali: Çmimet e fruta-perimeve rritje deri 80% – Mungojne punonjesit, s`ka kush te vjele produktin

Çmimet e fruta-perimeve në Itali janë rritur deri në 40 herë më shumë se inflacioni gjatë periudhës së emergjencës, vetëm si pasojë e mungesës së punonjësve sezonal nga vende si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Zyrtarisht, çmimi i frutave është rritur me 3.7%, ndërkohë që po zyrtarisht inflacioni është në rënie me 0.1%. Bashkimi i shoqatave për mbrojtjen e konsumatorit dhe ambientit në Itali (CODACONS), nëpërmjet një studimi thotë se, për disa produkte si karota apo brokoli a kungujt e portokallet, rritja është nga 40% deri në 80%.

E gjithë kjo situatë po peshon ndjeshëm në xhepat e familjeve italiane. “Coldiretti” ndërkohë, që është Konfederata Kombëtare e Kultivuesve, thotë se, kjo rritje e ndjeshme e çmimeve në treg është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e mungesës së punonjësve sezonal dhe mungesës së krahut të punës. Praktikisht në Itali nuk ka kush të mbledh produktin. “Coldiretti” thotë se në treg mungojnë 200 mijë punonjës vetëm në këtë sektor.

Mbyllja e kufijve ka nxitur një ngërç të paprecedentë, që përkthehet në kosto të lartë jo vetëm për konsumatorin final në Itali por edhe për punonjësit sezonal nga Shqipëria, të cilët janë me mijëra. Më 3 qershor, Italia do të hap kufijtë për vendet e BE-së, por sipas kultivuesve kjo nuk është aspak e mjaftueshme për të mbushur boshllëkun në treg, duke qenë se pjesa më e madhe e punonjësve vijnë nga vende jashtë BE-së, si Shqipëria apo Maqedonia e Veriut.