Reklame:

Maskat, dorezat plastike e mbetje te tjera nga COVID-19 po ndotin oqeanet tona

Pajisjet mbrojtëse për parandalimin e infektimit nga koronavirusi po ndotin gjithnjë e më shumë oqeanet tona. COVID-19 ka pasur një sërë ndikimesh të papritura në mjedis, duke zvogëluar riciklimin dhe duke rritur përdorimin e plastikës në të gjithë botën. Qeveritë duhet të marrin masa të menjëhershme për këtë.

Midis fundit të shkurtit dhe mesit të prillit të këtij viti, më shumë se një miliard pajisje mbrojtëse personale u dhanë vetëm në Mbretërinë e Bashkuar.

Kjo nënkupton miliona doreza plastike dhe maska që përdoren dhe hidhen çdo ditë. Dhe kjo vetëm në mjediset e kujdesit shëndetësor në Mbretërinë e Bashkuar. Pra, nuk është e vështirë të shihet pse ambientalistët në mbarë botën po ngrenë shqetësime në lidhje me faktin se ku përfundojnë të gjitha këto produkte njëpërdorimshe.

Maska, shishe dezinfektuesish për duart dhe mbeturina të tjera nga koronavirusi tani janë gjetur në fund të deteve dhe në plazhet tona, duke dëmtuar ekosistemet e oqeaneve tona.

Bashkë me fotot dhe videot që ofrojnë të dhëna shqetësuese për këtë lloj të re ndotjeje, organizata franceze Opération Mer Propre është ndër ata që bëjnë thirrje për veprim. “Rrezikojmë të ketë më shumë maska sesa ka kandila deti”, tha në një postim në Facebook Laurent Lombard nga kjo organizatë.

Ky problem është po aq i madh edhe në anën tjetër të botës. Në muajin shkurt, OceansAsia dha alarmin numrin në rritje të maskave që ajo zbuloi gjatë hulumtimit të saj për ndotjen e shkaktuar nga plastika. Sasi të mëdha maskash u gjetën në ishujt Soko, një grup i vogël në brigjet e Hong Kongut.

Problemi rritet gjithnjë e më shumë


Tashmë, rreth 8 milion ton plastikë përfundojnë çdo vit në oqeanin tonë, duke iu shtuar sasisë prej 150 milionë tonësh që qarkullonin tashmë në ta.

Një studim vlerëson se vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, nëse çdo person përdor vetëm një maskë njëpërdorimshe në ditë për një vit me radhë, kjo do të krijonte një shtesë prej 66,000 ton mbeturinash të kontaminuara dhe 57,000 ton paketim plastik.

Liderët dhe politikanët botërorë janë të vetëdijshëm për problemin dhe mënyrën se si ai duhet të adresohet.

“Vendet që kanë dalje në det e din më mirë se kushdo se si ekonomitë tona varen nga shëndeti i oqeanit”, tha së fundmi Zac Goldsmith, ministër në Mbretërinë e Bashkuar në një seminar të mbajtur online të Forumit Ekonomik Botëror.

“Por ne të gjithë varemi nga oqeanet tona të përbashkëta dhe nga roli që luan plastika në çdo pjesë të ekonomisë sonë.”

Përpjekjet për të trajtuar ndotjen e shkaktuar nga plastika mund të na ndihmojnë të përmirësojmë shëndetin e oqeaneve tona, të adresojmë si duhet ndryshimet klimatike, të mbështesim biodiversitetin dhe të ndërtojmë jetesa të qëndrueshme.”

Kostoja që i ka shkaktuar COVD-19 mjedisit

Mbeturinat plastike njëpërdorimshme nuk janë ndikimi i vetëm që COVID-19 ka në mjedis.

Pavarësisht një ulje në emetimet e dioksidit të karbonit, pasi izolimet kanë nënkuptuar më pak njerëz që udhëtojnë dhe më pak aktivitet industrial, ekzistojnë shqetësime se pandemia do të largojë vëmendjen e qeverive nga çështjet e gjelbra.

Konferenca COP26 e OKB-së për ndryshimet klimatike, e cila është vendosur të mbahet në nëntor të vitit 2020, tashmë është shtyrë.

Në disa qytete të SHBA-së, programet e riciklimit janë ndalur, ndërsa edhe disa pjesë të prekura nga virusi në Itali dhe Spanjë e kanë ndalur gjithashtu riciklimin.

Ekonomia e karantinës ka bërë që shumë njerëz t’i drejtohen internetit, duke shkaktuar më shumë mbeturina paketimesh për shkak të porosive që u janë dërguar nëpër shtëpi. Edhe mbetjet mjekësore po shtohen ndjeshëm.

Kufizimet në importe dhe eksporte, si edhe rëniet e disponueshmërisë për transportimin e mallrave, nënkupton se edhe sasi të mëdha ushqimesh kanë përfunduar në plehra. Dhe ndërkohë që këto mbeturina organike kalben, ato do të çlirojnë gazra serrë.

Dhe nëse stimujt ekonomikë nuk përqendrohen në nisma të gjelbra, ekziston rreziku i një shtimi të papritur të aktivitetit ndotës pasi ndërtimi dhe prodhimi po përdoren për të nxitur rimëkëmbjen nga rënia ekonomike globale që ka krijuar virusi.

“Le të jetë ky moment një thirrje zgjimi për të gjithë ne”, thotë Goldsmith. “Ndërkohë që vendet dalin nga pandemia, të gjithë do të duhet të gjejmë mënyra për të rindërtuar dhe rinovuar.”

“Dhe unë mendoj se kjo na jep një mundësi të jashtëzakonshme për të zgjedhur një rrugë ndryshe. Vendimet tona duhet t’i marrim duke pasur parasysh një rrugë që garanton qëndrueshmëri dhe shërim të mjedisit.”

Marrë me autorizim nga Weforum.org How face masks, gloves and other coronavirus waste is polluting our ocean