Reklame:

France/ 250 milione euro per sektorin ne veshtiresi te vererave

Qeveria franceze ka rritur mbështetjen financiare për kultivuesit e verës, të cilët janë përballur me një rënie të madhe të kërkesës, pas mbylljes së restoranteve dhe bareve nga pandemia, si dhe për shkak të tarifës së Shteteve të Bashkuara, të cilat kanë frenuar eksportet.

“Shteti do të rritë fondin e tij me 250 milionë euro për të mbështetur kultivuesit e verës dhe ne do të kërkojmë që kjo ndihmë të shpërndahet sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi kryeministri francez Jean Castex, gjatë një vizite në vreshtat e luginës së famshme Loire.

“Situata ndërkombëtare, kriza shëndetësore, rënia e eksporteve, sektori ynë i verës po përballet me vështirësi të mëdha. Mbështetja e shtetit duhet të vazhdojë dhe të intensifikohet”.

Franca tashmë ka ofruar disa herë mbështetje, por industria e verës ka bërë thirrje për më shumë veprime.

Në maj, Franca vuri në dispozicion një fond prej 140 milionë eurosh për të distiluar verën e tepërt në alkoolin industrial, që do të përdorej për prodhimin e dezinfektuesve të duarve.

Më vonë në qershor, qeveria zbuloi një ndihmë tjetër shtesë prej 30 milionë eurosh për industrinë e verës, gjysma e shumës për të mbështetur fillimin e një skeme ruajtjeje private për 2 milionë hektolitra verë të tepërt.

Përveç ndikimit të Covid-19, industria e verës në Francë është prekur edhe nga tarifat e vendosura nga Shtetet e Bashkuara për importet, si pjesë e mosmarrëveshjes tregtare midis Bashkimit Europian dhe SHBA-së.

Në prill, Komisioni Europian vendosi të mbështesë masat e menaxhimit të krizave në industrinë e verës dhe sektorë të tjerë bujqësorë të prekur nga kriza e pandemisë së Covid-19.(France24)