Reklame:

Nis regjistrimi i pemeve ne hipoteke

Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka nisur procesin e regjistrimit të pemëve në regjistrat e pasurive të paluajtshme dhe pasurive natyrore. Këshilli i Ministrave ka miratuar edhe procedurat që do ndiqen për regjistrimin e tyre.

Në kategorinë e pemëve që regjistrohen në regjistrin e pasurive të paluajtshme hyjnë të gjithë drurët që ndodhen brenda kufirit të pasurisë (tokës), pavarësisht llojit dhe pronësisë së pasurisë (nëse është private apo shtetërore).

Kërkesa për regjistrimin e pemëve nga subjekti i interesuar duhet të shoqërohet me dokumentacionin e mëposhtëm: a) listën e detajuar të inventarit të pemëve; b) planin e rilevimit (paraqitja grafike e pronës dhe pemëve), sipas modelit të miratuar; c) aktin e fitimit të pronësisë, nëse nuk është regjistruar më parë.

Ndërkaq, për regjistrimin e pemëve në regjistrin publik të pasurive të paluajtshme, drejtoria vendore e ASHK-së verifikon këto elemente: a) legjitimimin e subjektit, nëse ai është është pronari/bashkëpronari i pasurisë së paluajtshme mbi të cilën do të regjistrohen pemët apo përfaqësuesi i autorizuar i tij; b) nëse dokumentacioni i depozituar për regjistrimin e pemëve është i plotë.

Kur pas kryerjes së verifikimeve, kërkesa për regjistrimin e pemëve i përmbush kushtet e përcaktura në lidhje me dokumentacionin dhe legjitimimin e subjektit, vijohet me regjistrimin në kartelën e pasurisë së paluajtshme, sipas të dhënave të paraqitura në dokumentacionin tekniko-ligjor të depozituar për regjistrim, në përputhje me përcaktimet e nenit 29, të ligjit nr. 111/2018, “Për kadastrën”.

Pas regjistrimit të pemëve në regjistrat kadastralë, drejtoria vendore e ASHK-së pajis pronarin me kartelën e pasurisë, si dhe me sasinë e nevojshme të matrikujve për çdo pemë të regjistruar.