Reklame:

Ngricat pranverore dhe problemet ne bujqesi!

Ngricat pranverore janë dukuritë klimatike negative më të shpeshta që ndikojnë mbi prodhimtarinë e pemëve frutore dhe kufizojnë përhapjen e specieve dhe kultivarëve në zona të caktuara. Ngricat pranverore zakonisht ndodhin në netët e qeta gjatë orëve të fundit të natës dhe të para të mëngjesit, me qiej të kthjellët dhe pak erë. Këto quhen ngrica rrezatuese për shkak të rrezatimit të nxehtësisë nga toka dhe bimët për në qiellin pa re që ul temperaturat në shtresat më të ulëta të ajrit (2 – 3 m nga toka). Me rënien e temperaturave ajri i ftohtë grumbullohet në fushëgropa dhe për shkak të mungesës së erës, nuk shpërhapet.

Sa më e fortë dhe e zgjatur ngrica, aq më e thellë bëhet shtresa e të ftohtit. Ngricat rrezatuese janë një shkak madhor për t’u shqetësuar në shumicën e rajoneve të prodhimit të drufrutorëve të klimës së butë. Ngricat mund të jenë të ardhura, në rastin kur vijnë masa të mëdha ajri të ftohtë nga zonat polare, të cilat shpesh e mbajnë temperaturën nën zero edhe gjatë ditës. Në fund, ngricat mund të vijnë edhe nga avullimi që ndodh kur bimët janë të njomura dhe lagështia relative është aq e ulët sa të përcaktojë një avullim të fortë që tërheq me shpejtësi nxehtësinë nga bimët.

Ngricat dimërore, që mund të dëmtojnë bimët tropikale dhe nëntropikale, zakonisht nuk kanë ndikim mbi llojet drufrutore të klimës së butë në ato rajone që kanë klimë relativisht të butë. Megjithatë, pasi sythat gjethorë (drunorë, vegjetativë) dhe lulorë (frutor, gjenerativ) fillojnë të fryhen në pranverë, temperaturat nën 0°C mund të jenë dëmtuese. Në çeljen e sythit, kur nis të duket ngjyra e petlave.

Llojet drufrutore të klimës së butë shpesh tolerojnë temperatura nga -3 deri -5°C. Lulet që janë duke u hapur mund t’u bëjnë ballë temperaturave prej -2 deri -3°C, ndërsa në lulëzim të plotë, temperatura që variojnë nën -2 deri -3°C mund të ngordhin vezoren, e duke qenë se frutat janë formuar, ato mund të dëmtohen ose të ngordhin nga temperaturat nën -1 deri -2°C. E rëndësishme është kohëzgjatja e ekspozimit; periudha të shkurtra mund të mos bëjnë dëm, por periudha të gjata prej 30 minutash apo më shumë zakonisht do të shkaktojnë dëmtim.

Këto temperatura dëmtuese janë të vlefshme për pjesën dërrmuese të pemëve frutore. Speciet më të ndjeshme midis pemëve frutore bërthamore janë pjeshka dhe kajsia, të ndjekura nga dardha dhe molla. Arrat, mjedrat dhe luleshtrydhet janë të ndjeshme ndaj temperaturave ndërmjet -1 dhe -2°C nga periudha e fryrjes së sythave e më pas. Rrushi i serezit (Ribes nigrum L.) dhe rrushi i frëngut (Ribes uva-crispa L.) duket se janë më tolerantë ndaj ngricave dhe lulet mund t’u mbijetojnë temperaturave -3 deri -4°C. Boronicat janë edhe më tolerante (afro -5°C), ndërkohë që lulet e lajthisë janë në gjendje të përballojnë -5°C.

Zakonisht lulet janë më të ndjeshme ndaj dëmtimit prej ngricave se sa gjethet. Megjithatë, tek aktinidja dhe hardhia, sythi i cili çel në pranverë prodhon një lastar gjethor (vegjetativ). Lulet shfaqen në atë lastar vetëm disa javë më vonë. Kësisoj, një ngricë që ndodh pas çeljes së sythit do t’a thajë tërë lastarin dhe ndërkohë që një lastar i ri mund të dalë nga baza e lastarit të vjetër, është pashmangshmërisht më pak frytifikues. Për aktinidën, janë kritike temperatura -1.5 deri -2.0°C ose më të ulëta; hardhia mund të tolerojë temperatura pakëz më të ulëta (-2 deri -3°C).

Toleranca ndaj ngricave dhe qëndrueshmëria ndaj të ftohtit të dimrit