Reklame:

84 mijë fermerë pajisen me NIPT, zgjerimi vjetor 33% u nxit nga subvencioni i naftës

Sektori i bujqësisë është dega me ecurinë më të dobët në ekonominë e vendit këto vitet e fundit, por pavarësisht këtyre zhvillimeve, numri i fermerëve që po formalizohen po rritet me shpejtësi.

Të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve tregojnë se më datë 11 janar, numri i fermerëve të pajisur me NIPT arriti në mbi 84 mijë, duke u zgjeruar me 33% në raport me fundin e vitit 2021, ku sipas INSTAT ishin të regjistruar mbi 62 mijë fermerë në të gjithë vendin.

Rritja e numrit të fermerëve që po regjistrohen në tatime po nxitet nga shpërndarja e naftës pa akcizë dhe nga skemat e subvencioneve.

Fermerët nuk mund të jenë përfitues të skemave mbështetëse nëse nuk janë të pajisur me NIPT.

Regjistrimi në Tatime nuk i ngarkon fermerët me tatime e taksa, por ata duhet detyrohen të paguajnë Kontribute Vjetore të Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore.

INSTAT, për herë të parë, publikoi shpërndarjen e fermerëve me NIPT sipas bashkive më 2021. Të dhënat tregojnë se Bashkia e Lushnjës dhe Maliqit kishin numrin më të lartë të fermerëve të regjistruar në Tatime, të ndjekur nga bashkitë e Divjakës, Fierit, Dimalit dhe Malësisë së Madhe, Korçës, Devollit etj.

Shpërndarja e fermerëve me NIPT tregon se, Prefektura e Korçës dhe Fierit kanë numrin më të lartë të bujqve të interesuar për t’u formalizuar. Ato janë gjithashtu janë edhe zonat me bujqësinë më intensive në vend.

Në krahun tjetër, bashkitë me numrin më të ulët të fermerëve me NIPT janë ajo e Pustecit, Fushë-Arrëzit, Kamzës, Pukës, Vorës, Dropullit, Mirditës, Sarandës etj. Këto bashki për shkak të strukturës së ekonomisë, terrenit gjeografik dhe popullsisë së pakët kanë më pak fermerë me aktivitet fitimprurës.

Bujqësia është sektori më i madh në ekonominë shqiptare, që kontribuon me rreth 20% të PBB-së vendit dhe mbi 40% të punësimit, po gjithashtu është edhe dega më produktivitetin më të ulët. Shumica e të punësuarve në këtë sektor janë pa pagë dhe prodhojnë për vetëkonsum.

Ndërsa pjesa tjetër e organizuar në ferma të vogla që prodhojnë për treg vuajnë nga fitime të ulëta dhe kosto të larta.

Mungesa e subvencioneve dhe pakësimi i popullsisë në zonat rurale po ndikon në tkurrjen e sektorit të bujqësisë.

Gjatë 9-mujorit 2022 ekonomia e vendit u rrit me 4.3% ndërsa bujqësia shënoi vlera negative. /B.Hoxha- Monitor.al

Numri i fermerëve të pajisur me NIPT sipas bashkive me 2021

Lushnjë 6939
Maliq 4710
Divjakë 3760
Fier 3422
Dimal 2743
Malësi e Madhe 2616
Korçë 2549
Devoll 2470
Belsh 2231
Berat 1895
Shkodër 1833
Elbasan 1651
Roskovec 1472
Cërrik 1359
Pogradec 1079
Peqin 1025
Lezhë 987
Kuçovë 964
Vlorë 956
Vau-Dejës 951
Selenicë 946
Gjirokastër 878
Dibër 876
Rrogozhinë 864
Kavajë 836
Tiranë 763
Kolonjë 748
Konispol 733
Durrës 727
Përmet 642
Gramsh 580
Poliçan 556
Skrapar 517
Mallakastër 510
Tepelenë 499
Kukës 487
Patos 483
Librazhd 467
Tropojë 441
Mat 372
Himarë 360
Delvinë 347
Shijak 313
Këlcyrë 312
Finiq 294
Krujë 290
Bulqizë 282
Has 273
Kurbin 267
Memaliaj 265
Klos 249
Prrenjas 212
Libohovë 169
Sarandë 161
Mirditë 160
Dropull 134
Vorë 95
Pukë 71
Kamëz 69
Fushë-Arrëz 33
Pustec 29