Reklame:

Hidroponia, sistemi i mbjelljes pa toke

Nuk keni tokë? S’ka problem. Ajo çfarë ju duhet është pak hapësirë, pak ujë dhe në një kohë rekord mund të keni domate, lakra, kastraveca e çfarëdolloj produkti tjetër. Kjo është një metodë e përdorur nga fermerët në një farë mase edhe për t’ia bërë me hile stinëve, duke qenë se ato kultivohen në çdo periudhë të vitit, pa pasur nevojën e energjisë diellore, por edhe si një nevojë për të kultivuar produkte sa më organike. Metoda e mbjelljes së produkteve jo në tokë, por vetëm duke përdorur solucione të pasura me ushqyes që shkojnë direkt në rrënjën e bimës, është më shumë një risi sesa një praktikë e njohur mes fermerëve. E megjithatë, kjo duket se po ndryshon edhe në Shqipëri.

Avantazhi më i madh i rritjes së perimeve me sistemin hidroponik është se ul përdorimin e pesticideve. Hidroponia bën të mundur pasjen e një rendimenti të lartë në prodhim, ka një kosto të ulët të krahut të punës dhe ka më shumë kontroll ndaj mjedisit. Mund të thuhet se kjo është e ardhmja e bujqësisë shqiptare. Ne kemi më shumë se 100 mijë hektarë tokë kripore, që është jashtë funksionit. Hidroponia është zgjidhja tek e cila mund të drejtohen fermerët.

Të nisësh biznesin e hidroponisë nuk është as e thjeshtë dhe as e lirë. Investimi fillestar për pajisjet e hidroponisë është i lartë, ashtu si dhe njohja e thellë që kërkon ky sistem, që është shumë i ndryshëm nga bujqësia standarte. Ky është një disavantazh. Kosto e lartë e investimit i bën fermerët që të stepen. Njerëzit janë mësuar me mënyrën tradicionale të të bërit bujqësi. Është shumë e rëndësishme që fermerët të hapën ndaj teknikave të reja dhe njohja e kësaj teknologjie është tejet e rëndësishme për fermerët shqiptarë. Por duke qenë në epokën e teknologjisë dhe informacionit, njohja e kësaj teknologjia nuk është më luks vetëm për akademikët.

 

Ky sistem është i hapur dhe i aksesueshëm për këdo që do ta shohë hidroponinë si një mënyrë për të bërë biznes, i vogël sa një vazo, apo gjigand sa një fermë vertikale.]

Avantazhet

Hidroponia është një metodë e rritjes së bimëve duke përdorur solucione ushqyese minerale në ujë pa tokë. Kjo metodë mund të implementohet në vende, ku toka nuk është ideale për të kultivuar produktin e dëshëruar. Kjo mund të përdoret edhe në tarraca, duke shfrytëzuar vendet me hapësira të vogla. Në hidroponi toka nuk hyn në punë dhe si e tillë nuk ka kufizim mbi llojin e produkteve të kultivuara. Uji mund të riciklohet, ndaj dhe është me avantazh për zonat që vuajnë nga thatësirat. Lënda ushqyese nuk humbet për shkak dhe të qarkullimit. Prodhim i lartë dhe i qendrueshëm për shkak se bimët nuk përdorin shumë energji duke kërkuar ushqyesit në tokë, duke bërë që të investohen më shumë në rritjen e bimës. Në hidroponi ushqyesit shkojnë direkt tek rrënjët. Ka më pak sëmundje, për shkak të mungesës së tokës dhe baktereve.

Duke qenë se hidroponia është e lëvizshme, fermerët mund t’i kultivojnë produktet duke ulur kështu kostot e transportit. Ka kosto më të ulët të punës, duke qenë se përdoren pompa dhe kompjuter. Hidroponia është një teknikë relativisht e thjeshtë dhe me pak njohje mund të aplikohet lehtësisht.

Disavantazhet

Edhe pse përdorimi i hidroponisë është i lirë po të përdoret në afatgjatë, investimi fillestar është relativisht i lartë, për shkak të pajisjeve të shtrenjta. Kushtet e hidroponisës (prezenca e fertilizuesve dhe lagështisë së lartë) krijojnë një mjedis që stimulon rritjen e salmonelës. Kërkon përdorimin e ujit të pandotur.

Në të gjithë botën, hidroponia po shihet si një mënyrë e re moderne e të bërit bujqësi. Dhe që shumë shpejt pritet të kthehet në pjesë integrale e prodhimit të ushqimit, qoftë ai që blejmë në supermarket, apo ai që rritet në oborrin e shtëpisë apo në serrën e fermerit.