Divjaka, një mbretëri natyrore që mund të vizitohet çdo ditë të vitit

Divjaka është një qytet i ri por që ka një histori të lashtë që lidhet me Qytetin e Humbur Arnisa dhe me “Via Egnatian” e Romës së Vjetër.

Vetë emri i saj rrjedhë pikërisht nga kjo rrugë që lidhte Apoloninë me pjesën e saj që vinte nga Durrësi e bashkoheshin në Klodiana ose Peqini i sotëm.

Divjaka ose Due Vie, Dy Vijat, shtrihej në kodrat ku bashkoheshin këto dy rrugë nga ku i ngeli dhe emri.

Divjaka sot është  një nga parqet natyrore  më të vizituara për turizmin detar, natyrorë, atë të  vëzhgimit të shpendëve ujorë dhe kulinarinë me bazë prodhimet e detit dhe perimet bio të fushave të saj.

Turizmi i vëzhgimit të shpendëve apo kafshëve të egra, tashmë po kthehet në një lëvizje të vërtetë turistike edhe për vendin tonë.

Por, ata që quhen edhe “Mbretërit” e lagunës së këtij Parku, janë Pelikanët Kaçurrele, një specie e rrallë në Ballkan dhe në botë. Ata kanë ishullin e tyre ku shumohen, ushqehen dhe celin vezët,tani të mbrojtur nga rojet e këtij parku. Këtu do të ndeshësh edhe Flamingot me shumicë, sidomos në mëngjes herët dhe para perëndimit të diellit.

Një bukuri e veçantë është edhe natyra me pisha të buta dhe hartinjë (siç u thonë vendasit) pishave të larta që shërbejnë për pjalmëzimin e atyre të butave që ldhin boçe. Godullat dhe strugat, nuk të tërheqin vetëm me peizazhin, por edhe me specie që ushqehen në ujrat e tyre, bajza, çafka, shapka, rosat e egra..e plot specie të tjera. Tashmë Divjaka po zhvillon edhe turizmin e vëzhgimit te zogjve (BirdWatch) dhe ate te shetitjeve me varke ne lagune.

Turistë të ardhur nga vendet  evropiane apo edhe më larg vijne gjithnje duke u shtuar.

Vendet më të preferuara jane pikerisht “Ishulli i Pelikanit”, Këneta e Madhe ku mbretërojnë Flamingot dhe  shumë lloj të tjera shpendësh, dhe Këneta e Vogël, ku kryesisht strehohen flamingot dhe rosat e egra.

Tashmë vizitorët nuk janë kurioz të çlodhen në bregdet apo të shëtisin në pyllin e veçantë me pisha të buta, të shijojnë peshkun apo ngjalat e shijshme të Kënetës së Karavastasë, por ata mund të vëzhgojnë edhe shpendë të ndryshëm në jetën e tyre të egër.

 

Zbatimi i moratoriumit për ndalimin e gjuetisë, në këtë zonë ka sjellë një rigjallërim të faunës së  egër.

Flamingot dhe pelikanët që popullojnë lagunën e Karavastasë, kanë  tërhequr vëmendjen e mediave botërore me reportazhet e tyre të shumta për jetën e egër në park.

 

 

 

 

 

Laguna e Karavastasë është laguna më e madhe në Shqipëri, sigurisht edhe më e bukura në detin Adriatik.  Laguna ndahet prej detit nga pylli me pisha i Divjakës. Përbëhet prej një lagune të brendshme dhe një të jashtme, më të vogël. Tre kanale e lidhin lagunën me detin Adriatik. Laguna është deklaruar Park Kombëtar dhe është e vetmja vendndodhje zyrtare e mbrojtur nga Konventa e Ramsarit.