Reklame:

Mish dhe qumesht importi – Shqiptaret rrisin ndjeshem konsumin e markave te huaja

Importet bujqësore kanë arritur në vlerën e 56.5 miliardë lekëve në gjysmën e pare të vitit apo rreth 1.7 miliardë lekë më shumë se një vit më parë.

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë tregojnë qartë se sektori i blegtorisë është ai që “lëngon” në vend, pasi përpos faktit se eksportet janë në rënie, vihet re një rritje e qenësishme e importeve.

Çka do të thotë se qytetarët shqiptarë po ushqehen çdo ditë e më shumë me produkte blegtorale, si mishi e qumështi, të ardhura nga importi.

Konkretisht, blegtoria mban “kampion” në rritjen e importeve me 19.2 për qind gjatë 6 mujorit të parë të vitit 2019, duke regjistruar një vlerë totale prej rreth 5.3 miliardë lekësh. Ndërsa peshkimi ka pësuar rënie të lehtë, duke arritur vlerën e 4 miliardë lekëve.

Po ashtu rënie ka pësuar edhe import i produkteve bujqësore me 1.3 për qind, pavarësisht se përbejnë një vlerë të lartë prej rreth 13.2 miliardë lekësh.

Duke iu referuar në vlerë, Shqipëria importon më shumë produkte agroindustriale në rreth 34 miliardë lekë në 6 muaj, të vilat po ashtu janë regjistruar me rritje në masën 3.3 për qind, apo rreth 1 miliardë lekë. (SCAN)