Reklame:

AKU bllokon 147 kg mish te pasigurt dhe nderpret aktivitetin e 2 subjekteve

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar me dhjetëra kilogramë mish të pasigurt për konsum si dhe ka ndërprerë aktivitetin e dy bizneseve, për shkak të shkeljeve të konstatuara.

Gjatë kontrolleve, Drejtoria Rajonale e AKU Korçë konstatoi ‘mish’  qengji, lope, derri dhe të brendshme lope, pa vulë dhe pa certifikatë veterinare, në subjektin me aktivitet ‘Kamping’, në Sotirë të Korçës.

AKU bllokoi sasinë e 147 kg mish, me qëllim asgjësimin e tyre. Nga ana tjetër, nga kontrollet e ushtruara u ndërpre aktiviteti i një njësie tregtimi në Leskovik të Korçës, si dhe aktiviteti i një picerie në Pogradec.

Shkeljet e konstatuara ishin mungesë e kushteve higjeno- sanitare, mungesë e sistemit të gjurmueshmërisë apo therje e kafshëve në kundërshtim me ligjin.

Përveç bllokimit të produkteve të pasigurta, ndërprerjes së aktivitetit të bizneseve deri në plotësimin e mangësive ligjore, për shkeljet e konstatuara AKU gjobiti me 1.1 milionë leke subjektet.

Njoftimi i plote i AKU:

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon kontrollet rigoroze në të gjithë vendin edhe në këtë fund-sezoni, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe shmangien e praktikave mashtruese në dëm të shëndetit dhe interesit të konsumatorëve. Kështu, nga kontrollet e kryera nga Drejtoria Rajonale e AKU Korçë u konstatuan se disa subjekte ushtronin aktivitetin në kundërshtim me kërkesat ligjore, më konkretisht:

Subjekti “Ll. V.” me aktivitet “Njësi tregtimi” Leskovik-Kolonjë, ushtronte aktivitetin në kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare (mungonin analiza e ujit të pijshëm, librezat shëndetësore të punonjësve dhe kontenierët e mbetjeve, masat kundër dëmtuesve ishin të paplota). Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese mori masat administrative të mëposhtme:

  1. “Gjobë” me vlerën 300,000 lekë (mungesë të kushteve higjeno-sanitare), si dhe
  2. “Ndërprerje e menjëhershme e aktivitetit”, deri në plotësimin e mangësive të konstatuara.

Subjekti “J. H.” me aktivitet “Kamping” Sotirë, Korçë, i inspektuar në kushtet e flagrancës, ushtronte aktivitetin në kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare në kuzhinë dhe në dhomat frigoriferike, mungonte sistemi i gjurmueshmërisë (21 kg Salcë) dhe produkte “mish” pa vulë dhe pa certifikatë veterinare (20 kg mish qingji, 34 kg mish lope, 38 kg mish derri dhe 34 kg të brendshme lope). Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese mori masat administrative të mëposhtme:

  1. “Gjobë” me vlerën 300,000 lekë (mungesë të kushteve higjeno-sanitare),
  2. “Gjobë” me vlerën 100,000 lekë (mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë),
  3. “Gjobë” me vlerën 100,000 lekë (therje e kafshëve në kundërshtim me ligjin), si dhe
  4. “Bllokimi i produkte” të pasigurta për konsum në sasinë prej 147 kg, me qëllim asgjesimin e tyre.

Subjekti “E. Ç.” me aktivitet “Piceri” Pogradec, Korçë, ushtronte aktivitetin në kushte higjeno-sanitare të papërshtatshme (mjete dhe pajisje të amortizuara, të papastruara dhe të pahigjienizuara, prani papastërtish në ambientin e kuzhinës, muret e dyshemeja të papastra, mungesë çertifikate DDD dhe prani insektesh në rafte dhe në tavolinën e punës). Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese mori masat administrative të mëposhtme:

  1. “Gjobë” me vlerën 300,000 lekë (mungesë të kushteve higjeno-sanitare), si dhe
  2. “Ndërprerja e menjëhershme e aktivitetit”, deri në plotësimin e mangësive ligjore të konstatuara.