Reklame:

Eurostat: Buka ne Shqiperi kushton sa 70% e çmimit ne Bashkimin Europian

Eurostat tregon se çmimi i bukës dhe  drithërave në vendin tonë është rritur në 2018 krahasuar me vitin paraardhës. Ndër të tjera, të dhënat e përditësuara të agjencisë së statistikave të Bashkimit Europian ofrojnë edhe një bazë krahasimore mes të gjitha vendeve të kontinentit të vjetër. Sipas këtyre të dhënave, një shqiptar e paguan bukën mesatarisht sa 69.7% e një europiani mesatar.

Kjo normë është ndër më të ulëtat në Europë, por jo më e ulëta, pasi në vende si Rumania, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Portugalia, Kosova, Bullgaria apo Turqia, çmimi i bukës dhe i drithërave është më i ulët se në vendin tonë. Në vitin 2017, çmimi ishte sa 66.7% e mesatares së Bashkimit Europian.

Pra, sipas Eurostat, një shqiptar e paguan bukën 30% më lirë se një europian mesatar, sipas paritetit të fuqisë blerëse, pra duke përdorur një metodologji e cila standardize çmimin, në bazë të secilit vend. Vendi më i shtrenjtë në Europë për të blerë bukë duket të jetë Norvegjia, ku çmimi mesatar është sa 167% e mesatares së Bashkimit Europian. (SCAN)