Reklame:

Pakete ne ndihme te bujqesise? Çuçi: Nuk ka arsye, Covid-19 nuk e ka destabilizuar bujqesine

Bledi Çuçi, ministër i Bujqësisë, në një emision televiziv ka deklaruar se “bujqësia ka qenë i vetmi sektor që nuk ka pushuar asnjë sekond së punuari gjatë pandemisë” dhe, sipas tij, “nuk është cenuar as prodhimi dhe as qarkullimi i mallrave”.

“Po kështu, morëm masa që të mos pezullohej asnjë ditë edhe eksporti i produkteve bujqësore. Jo vetëm kaq, por është rritur edhe prodhimi, edhe shitjet. Bujqësia si sektor është rritur me 8,1% për 4-mujorin, sipas shifrave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave”, tha Çuçi.

Kur u pyet nëse do të ketë një paketë ndihme të veçantë për këtë sektor, ministri u përgjigj se nuk e shikon të arsyeshme.

“Bujqësia nuk ka pësuar asnjë destabilitet për shkak të Covid-19. Bujqësia ka shumë halle, por për shkak të pandemisë nuk ka pësuar rënie. Përkundrazi, ka pasur rritje në prodhim, eksporte dhe shitje. Atëherë, pse duhet të kemi një paketë të veçantë? Paketat e veçanta jepen për ato sektorë që janë dëmtuar nga koronavirusi. Nëse ndihmohet turizmi, do të shkojë në favor të bujqësisë në mënyrë indirekte. Nëse e ndihmojmë bujqësinë, nuk e ndihmojmë dot turizmin. Turizmi nuk çalon për shkak të mungesës së prodhimit bujqësor, turizmi çalon për shkak të ofertës dhe kërkesës. Prodhime bujqësore ka dhe shiten. Kështu që nuk ka arsye për paketë të veçantë për bujqësinë. Sigurisht që bujqësia ka nevojë për t’u subvencionuar sa më shumë, sigurisht që do të doja më shumë nga buxheti i shtetit për bujqësinë, por këto janë çështje të tjera, që nuk i takojnë Covid-19”, theksoi ministri i Bujqësisë.

Në lidhje me periudhën se kur pritet të rihapen skemat kombëtare dhe IPARD-i, Çuçi sqaroi: “Skema kombëtare do të shkojë 100% subvencionim i drejtpërdrejtë për fermerin. Po mendojmë ta hapim në javën e fundit të majit ose në fillim të qershorit. Do të mund të aplikohet “online” dhe do të jetë shumë e thjeshtë. Përsa i takon IPARD-it, brenda një viti hapëm dy thirrje. Ky është sinjal pozitiv. Me thirrjen e parë kemi lidhur kontrata për investime në sektorin e bujqësisë në shumën 52 milionë euro, nga të cilat deri në 60% i japim grante; Me thirrjen e dytë jemi në fazën e selektimit të të gjithë aplikimeve që kanë ardhur. Kur të lidhen kontratat me thirrjen e dytë, do të hapim edhe thirrjen e tretë, që do të jetë brenda këtij viti. Jam i kënaqur si ministër me ecurinë e kësaj gjëje. Me këtë skemë do të injektojmë para për ta rritur sektorin në mënyrë të qëndrueshme, jo sporadike”.

Në fund, ministri bëri thirrje që të blejmë sa më shumë produkte vendase, duke e kthyer në mundësi këtë periudhë krize.

“Mund të shikohet si mundësi dhe të gjithë bashkë të kontribuojmë që të blejmë shqip në këtë periudhë krize. Kjo do ta ndihmonte shumë sektorin, që po rritet edhe nga ana sasiore, edhe nga ana cilësore. Para 3 ditësh përfunduam një aksion të madh monitorimi të fruta-perimeve të sezonit dhe nga rreth 250 mostra që morëm nga gjithë vendi, vetëm një mostër prej tyre rezultoi me mbingarkesë të një elementi jashtë standardi. Unë bëj thirrje që t’i kthehemi produkteve shqiptare”, u shpreh Çuçi. (A2)