Reklame:

16 Korrik – Dita e krijimit te Institutit per Ruajtjen e Natyres ne Shqiperi – INCA

Themelimi i Institutit për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA), shënoi fillimin e një kontributi modest në mbrojtjen e natyrës në vend. INCA është bërë një organizatë e rëndësishme e shoqërisë civile në Shqipëri me përvojë, vizion dhe ndikim në përmirësimin e statusit të vlerave natyrore dhe të masave të nevojshme për ti mbrojtur ato.

Misioni i saj ka synuar: “Të ndikojmë, inkurajojmë dhe advokojmë shoqërinë në të gjithë vendin për të ruajtur integritetin dhe diversitetin e natyrës dhe për të siguruar që çdo përdorim i burimeve natyrore të jetë i barabartë dhe ekologjikisht i qëndrueshëm!”.

Në keto vite stafi dhe ekspertët e INCA-s kane synuar të zbatojnë standardet më të larta të punës profesionale, etikës dhe përgjegjësisë individuale të kombinuara në mënyrë unike me përvojën e gjerë, të cilat sigurojnë bazat për sukses, duke na bërë një pikë kyçe të referencës si shembull i praktikave më të mira për konservimin e natyrës dhe për një menaxhimi të qëndrueshëm të burimeve dhe vlerave natyrore.

Stafi dhe ekspertët e INCA-s janë tashmë të njohur për kontributin dhe angazhimin në realizimin me suksese të tematikave në lidhje me përmirësimin e strategjive, ligjeve, programeve kombëtare, vendore e rajonale; menaxhimin, vlerësimin dhe advokimin e praktikave më të mira të përdorimit të qëndrueshëm të burimeve dhe vlerave natyrore të integruara me ato historike, kulturore, arkeologjike dhe shpirtërore.

INCA me ekspertizën e saj, nëpërmjet projekteve, kontribuon në përmirësimin e menaxhimit dhe zgjerimin e rrjetit të zonave të mbrojtura të vendit dhe mirëadministrimin e tij, me një qasjeje pjesëmarrëse të aktorëve e palëve të interesuara, për menaxhim dhe përdorimin e qëndrueshëm të biodiversitetit, burimeve natyrore, të peizazhit, tokës, pyjeve, kullotave, bimëve mjekësore, florës e faunës së egër, të trupave ujore, liqeneve e lagunave, zonës malore, kodrinore, bregdetare dhe ekosistemet e mjedisit detar.

INCA ka kontribuar në forcimin e kapaciteteve në nivel qendror dhe vendor, duke siguruar koordinimin dhe bashkëpunimin shumëpalësh ndërinstitucional, duke përfshirë marrëdhëniet me publikun dhe palët e tjera të interesuara. Dhe gjithmonë ka synuar advokimin e një përqasjeje strategjike dhe angazhimin e shoqërisë civile dhe të komuniteteve për adresimin afatgjatë të problematikës dhe promovimit të vlerave dhe burimeve kryesore në zona të mbrojtura mjedisore.

Në këto vite me mundësitë e krijuara, rritjen e bashkëpunimit në shkëmbimin e njohurive, informacionit dhe të praktikave më të mira për biodiversitetin dhe zonat e mbrojtura kanë bërë të mundur realizimin me sukses të disa projekte madhore në nivel kombëtar dhe rajonal.

INCA ka luajtur një rol themelor në krijimin e Rrjetit për Mbrojtjen e Natyrës në Shqipëri, i cili vazhdon të mbështesë zgjidhjet e bazuara në natyrë si çelës për zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të programeve kombëtare e vendore dhe të ligjshmërisë. INCA iu ka ofruar organizatave mjedisore të shoqërisë civile dhe komuniteteve njohuri dhe mjete që mundësojnë zhvillimin ekonomik dhe ruajtjen e natyrës.

Përvoja e INCA-s dhe e Rrjetit të Ruajtjes së Natyrës ka krijuar një bazë solide për një punë të përbashkët për një të ardhme të qëndrueshme, nga qeveria, shoqëria civile, ekspertët, kompanitë dhe komuniteti, për të kërkuar zgjidhje krijuese të ruajtjes e promovimit të natyrës, për sfidat ekonomike dhe sociale si dhe për të formësuar një të ardhme të qëndrueshme.

Përvoja e këtyre viteve reflekton një aftësi e admirueshme të stafit për të punuar në mënyrë efektive me grupet e interesit vendor, kombëtar dhe rajonal. Me punën e tyre kanë synuar nxitjen e bashkëpunimit, rrjetëzimit dhe ngritjes së forumeve mjedisore me përfaqësues nga OJF-ve, ekspertë dhe operatorë vendore, të cilët do të shërbejë si struktura profesionale të gatshme për të marrë pjesë në proceset advokuese dhe këshilluese pranë strukturave vendore përgjegjëse për menaxhimin e burimeve natyrore.

Përveçse në nivel kombëtar, INCA është munduar të japë kontributin e saj edhe në nivel ndërkombëtar duke u bërë pjesë e organizatave e aleancave të fuqishme ndërkombëtare si IUCN, GWP, MWA, BIONET, etj.

Gjate ketyre viteve, INCA ka qenë aleati i domosdoshëm për të gjithë dashamirësit që janë të shqetësuar për gjendjen e natyrës së vendit tonë. INCA ka inkurajuar dhe ndihmon institucionet përgjegjëse shtetërore, qendrore e vendore, agjencitë ligj-zbatuese, kompanitë, komunitetet dhe shoqërinë civile në ruajtjen e integritetit dhe diversitetit të natyrës, përdorimin e mençur dhe të qëndrueshëm të burimeve natyrore si një nga sfidat më të mëdha të shoqërisë shqiptare.

INCA ka sjellë në vëmendje të mbarë opinionit publik çështjet kyçe të ruajtjes dhe qëndrueshmërisë së natyrës që kërkojnë masa urgjentetë tilla si nevoja për bashkëpunim dhe harmonizim për përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, rolin e ruajtjes si një instrument për zhvillimin dhe ndërtimin e jetesës së komuniteteve në të gjithë kufijtë kombëtarë e rajonal si dhe nevojën për të fuqizuar e edukuar brezat e ardhshëm në një përpjekje për të arritur një jetë më të qëndrueshme së bashku me natyrën.