Reklame:

Hapet tenderi/Nafta per fermeret, 2 milione prona kalojne ne regjistrin e Kadastres

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka hapur tenderin për përshtatjen e regjistrit elektronik të pasurive të paluajtshme për ofrimin e shërbimit në kuadër të procesit të ofrimit të shërbimit të naftës për fermerët. Fondi limit është 10.9 milionë lekë dhe financimi është nga buxheti i shtetit, në fondet e parashikuara nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, si Kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin është 1 muaj implementim nga nënshkrimi i kontratës.

Afati kohor për dorëzimin e ofertave ose kërkesave për pjesëmarrje është me 12 prill 2021.

ASHK synon digjitalizimin e të gjithë proceseve të punës, përfshirë këtu dhe sigurimin e informacionit  kadastral të nevojshëm për institucione si Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR). Në vijim të shërbimit të ri për fermerët për aplikimin për skemën e karburantit për bujqësinë, nevojitet qasja në Regjistrin Elektronik Kadastral, në të cilin aktualisht ka rreth 1,7 milionë pasuri të digjitalizuara.

Por, përveç këtyre pasurive të digjitalizuara, ASHK ka të administruara të dhëna për pasuri të paluajtshme të cilat janë të digjitalizuara në format të ndryshëm me Regjistrin Elektronik Kadastral. Këto janë të dhëna për rreth 2 milionë pasuri.

Për t’i ardhur në shërbim nevojave të MBZHR-se me qëllim lehtësimin e aplikimit online për skemën e karburantit për bujqësinë, ASHK ka të nevojshme integrimin e këtyre të dhënave të pa azhurnuara (rreth 2 milionë) sipas formatit të Regjistrit Elektronik Kadastral dhe krijimi i mjeteve të nevojshme për aksesimin e këtyre të dhënave dhe gjenerimin e vërtetimeve kadastrale për këtë qëllim.