Reklame:

Bletet ne ballkon. E moshuara kultivon edhe perime organike ne qytet

Agllaia Mandi, 85 vjeç, nuk ka blerë kurrë në treg prodhime që mund t’i prodhojë bahçja e saj.

Ajo nuk e ka braktisur asnjë ditë pasionin për bletët dhe për bimët. Dikur bletërritësja e vetme grua e kooperativës së Sheperit në Zagori ishte përgjegjëse për një park me rreth 100 koshere. Profesionin thotë se familja e ka trashëguar brez pas brezi, por zakonisht ata që merreshin ishin burra. Edhe pasi u zhvendos në qytet, në Gjirokastër, për të jetuar me djalin dhe familjen e tij, e përshtati mjedisin për stilin e saj të jetës.

Një koshere bletësh në ballkon dhe një kopsht i vogël në oborr janë angazhimet e saj kryesore.

Agllaia prej dekadash grumbullon farat e saj për prodhimet e kopshtit. Shumica e tyre vijnë nga Zagoria, por të gjitha janë farë e vendit. Ajo e punon vetë tokën, kultivon më shumë se 30 lloje perimesh, frutash dhe erëzash. Në një mjedis ku siguria ushqimore është duke shqetësuar publikun, Agllaia nuk e di se ç’janë hormonet.

I biri Kleanthi tregon se falë prindërve të lidhur aq shumë me tokën dhe natyrën ai u orientua për të studiuar si inxhinier pyjesh.

Tani është pranverë dhe dita ka shumë punë, thotë e moshuara që nuk ndalet të ndjekë pasionin e saj që prej fëmijërisë. Ajo do të vazhdojë të punojë sa të mundet sepse beson se puna mund ta mbajë njeriun të shëndetshëm dhe të lumtur. (Top Channel)