Reklame:

BB: Ne Shqiperi prodhimi, 30 mije dollare per punetor, potenciali 60 mije dollare. Duhen reforma!

Sipas Bankës Botërore, hendeku në prodhim ekonomik i Shqipërisë është mjaft i madh, gjë që ndikon edhe në nivelin e ulët të të ardhurave. Aktualisht, prodhimi ekonomik për punëtor në  vendin tonë vlerësohet në rreth 30 mijë dollarë. Po sa është potenciali i asaj që mund të prodhojë ekonomia ? Sipas institucionit me bazë në Washington, potenciali është dyfish, pra në 60 mijë dollarë për punëtor.

Në rast se, Shqipëria do të arrinte ta shfrytëzonte si duhet këtë potencial, atëherë niveli i prodhimit do të ishte më i lartë se ne Serbi sot, apo Greqi a Portugali. Por, nuk është kështu. Shqipëria prodhon sa gjysma e asaj që mund të prodhojë, e për rrjedhojë është vendi i fundit në rajon në këtë drejtim, jo vetëm me prodhimin për punëtor në më pak se 30 mijë dollarë, por edhe me kapitalin për punëtor në rreth 140 mijë dollarë, po ashtu niveli më i ulët në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Diçka e tillë reflektohet drejtpërdrejtë në ekonominë e vendit dhe nivelin e të ardhurave.

Banka Botërore thotë se nxitja e produktivitetit mund të arrihet duhet përshpejtuar reformat strukturore, përfshirë forcimin e institucioneve shtetërore që garantojnë sundimin e ligjit, nxitjen e sektorit privat, luftën ndaj korrupsionit apo “lojën” e ndershme në sektorin privat. Përmirësimi i shërbimeve publike për të nxitur kapitalin njerëzor, duke ruajtur njëkohësisht stabilitetin financiar është një tjetër sfidë që duhet ndërmarrë dhe që çon në rritjen e produktivitetit të ekonomisë.(SCAN)