Reklame:

Hidroxhel kunder tharjes se pemeve nga thatesira

Si masë parandaluese për të luftuar thatësirën në pemishte mund të përdoren disa substanca që kanë aftësinë të ruajnë lagështinë e tokës. Këto substanca kanë aftësinë të thithin një sasi të madhe
uji dhe nuk lejojnë që ai të humbasë nëpërmjet avullimit ose rrjedhjes. Së bashku me ujin lidhen dhe materiet ushqyese dhe nuk lejohet avullimi në kushte të lagështisë së tepërt, kurse së bashku me ujin ato bëhen të disponueshme për t›u pranuar nga sistemi rrënjësor i bimëve.

Përveç kësaj, substancat e tilla kanë aftësinë për të thithur lagështinë nga ajri, duke e shndërruar atë në lagështi të tokës që mund të përdoret nga bimët. Nga ky lloj materiali për bujqësinë janë në dispozicion Hidroxhel (agroxhel) dhe zeofite (zeolite).

Hidroxheli (agroxheli) është polimer i pastër organik prej amidoni me madhësi të ndryshme të kokrrave. Ka fuqi të madhe për thithje të lagështisë.
Pas thithjes së ujit, hidroxheli krijon një masë xhelatine nga e cila bimët mund të thithin ujin. Hidroxheli thith lagështinë kapilare të tokës, lagështinë atmosferike nga ajri, kurse, në vetvete, grumbullon ujin e tepërt së bashku me lëndët ushqyese që përdoren në ujitje ose plehërim. Aftësia për të mbajtur lagështinë është njëqind herë më e madhe sesa pesha e saj, përkatësisht mbi 150
herë më shumë në raport me grimcat e glinës.

Në bujqësi, hidroxheli mund të përdoret në të gjitha llojet e tokave dhe për të gjitha kulturat bujqësore. Rekomandohet për përdorim në rajone të thata dhe gjysmë të thata. Ai hidhet në tokë para mbjelljes dhe mund të përzihet me substratin në të cilin rriten bimët. Në pemëtari, hidroxheli përdoret para mbjelljes së fidanëve duke aplikuar 20-30 gram për bimë në gropën për mbjellje.

Ai u siguron rrënjëve të fidanëve të rinj një furnizim konstant lagështie, duke shmangur stresin, i cili shpesh mund të shkaktojë tharje të bimëve të reja, veçanërisht pas mbjelljes, gjë që ndodh kur tokës i mungon lagështia. Aftësinë për të mbajtur lagështinë e ruan katër deri në pesë vjet pas aplikimit dhe gjatë kësaj periudhe kontribuon në përdorimin më të mirë të lagështirës së tokës nga bimët. Në të mbjellat ekzistuese mund të futen në tokë në disa vrima rreth trungut në një thellësi prej 20-30 cm në një sasi prej 30-40 gramë për pemë.

Hydroxheli nuk është toksik për bimët, kurse me kalimin e kohës shpërbëhet në elementë jotoksikë, kështu që nuk lë asnjë efekt negativ në tokë.
Përdorimi i hidroxhelit jep përparësitë e mëposhtme:
•Konsumon ujin dhe zvogëlon humbjen joproduktive të lagështirës së tokës.
• Redukton frekuencën dhe numrin e ujitjes gjatë gjithë sezonit.
• Mbron lëndët ushqyese nga avullimi që përdoren gjatë plehërimit.
• Thith lagështinë e tepërt duke përmirësuar kështu ajrimin e tokës.
• Furnizon vazhdimisht bimët me ujë dhe lëndë ushqyese.
• Përmirëson aktivitetin mikrobiologjik në zonën e sistemit rrënjor të bimëve.
• Ndikon në marrjen dhe rritjen e fidanëve pas mbjelljes
• Redukton stresin nga mungesa e ujit te bimët që ndodh në ditët e ngrohta.
• Ndikon në produktivitetin e bimëve dhe cilësinë e frutave, etj.