Reklame:

Digjitalizimi i bujqësisë është e ardhmja drejt suksesit

Bujqësia mbetet një sektor kryesor në shumë vende në zhvillim, ndërkohë që ferma e vogël mbetet aktiviteti kryesor për shumicën e njerëzve në shumë vende me të ardhura të ulëta. Problemi që sot bujqësia po ndeshet është se shumica e punëtorëve që largohen nga bujqësia përfundojnë duke punuar në sektorin informal me produktivitet të ulët. Dhe ky shqetësim kryesor i identifikuar është procesi i zhvillimit të bujqësisë që përfshin një zhvendosje nga bujqësia manuale/tradicionale në atë të digjitalizuar.

Bujqësia digjitale ndihmon në përmirësimin e rendimenteve, zvogëlimin e humbjeve dhe ndihmon fermerët të marrin pagesa më të larta për atë që prodhojnë. Kjo është për shkak se kur fermerët marrin informacionin që u nevojitet në kohën e duhur, ata mund të sigurojnë që prodhimi të dërgohet në tregun e duhur dhe të shitet me një çmim më të favorshem. Teknologjia digjitale dhe ndarja pothuajse e menjëhershme e njohurive që ajo sjell u jep fermerëve atë informacion, duke thyer asimetritë e informacionit duke ulur kostot e transaksionit.

Bujqësia ka ekzistuar për shumë mijëvjeçarë, më shumë se shumica e industrive, por kur bëhet fjalë për adoptimin digjital, ajo është më pak e avancuar. Bujqësia po kalon një transformim digjital, por kjo kërkon kohë. Në fakt, shumë investitorë në bujqësi po vërejnë që investimet e tyre janë më pak të suksesshme me mënyrën tradicionale të operimit në stade të ndryshme të aktiviteteve bujqësore. Dhe ndërsa përparimet masive në makineri dhe teknologji gjatë gjysmëshekullit të fundit kanë rritur produktivitetin, ndryshimet klimatike dhe rritja e popullsisë kërkojnë prodhim gjithnjë e më të lartë. Globalisht, rreth gjysma e të gjithë tokës së popullueshme përdoret për prodhim bujqësor. Mbi gjithë atë terren të ndryshëm, ka një diversitet të mahnitshëm të klimës dhe përbërjeve të tokave, ujërave, kulturave, praktikave, dhe evidentohet një sfidë serioze në sjelljen e teknologjisë bujqësore tek kultivuesit. Ekziston gjithashtu një diversitet i madh midis vetë fermerëve, si për shembull mënyra se si ata e shohin dhe përdorin teknologjinë dhe si drejtojnë bizneset e tyre.

Fermerët kanë nevojë për qasje të shpejtë dhe akses në të dhëna për të adresuar çështjet në terren.

Teknologjitë digjitale mund të afrojnë informacion mbi farërat dhe plehrat të përmirësuara, duke aftësuar aksesin e fermerëve me informacionin në lidhje me gamën e asaj që është e disponueshme dhe si, kur dhe ku mund ta përdorin atë mirë. Dhe të njëjtat teknologji mund të ndihmojnë në përmirësimin e gjurmimit të produkteve nga ferma tek konsumatori, gjë që mund të rrisë sigurinë ushqimore si dhe të ndihmojë blerësit të njohin vlerën ushqyese të asaj që po blejnë.

Që nga revolucioni i gjelbër, sektori i bujqësisë ka qënë një pasqyrë e qartë se sasia në rritje e inputeve mund të rrisë rendimentet, megjithatë, duke krijuar në mënyrë të pashmangshme pasoja të mëdha mjedisore në të njëjtën kohë.

Sot qëllimi i aksesit digjital në bujqësi është i qartë. Nuk ka rëndësi nëse arsyeja është fitimi ekonomik, qëndrueshmëria apo fakti që shumica e plehrave të BE-së prodhohen duke përdorur në përgjithësi gazin natyror rus. E gjithë bujqësia ka nevojë për sasi më të ulët të inputeve, duke mbajtur ose rritur rendimentet. Dhe tashmë kjo është një fakt i testuar të efikasitetit që ofron teknologjia digjitale.

Rritja e rendimenteve dhe zvogëlimi i sasisë së inputeve në të njëjtën kohë është e mundur. Rreth 40% e plehrave harxhohen për shkak të përdorimit jo optimal nga strategjitë konvencionale. Aplikimi i ndryshueshëm i bazuar në të dhënat satelitore është një koncept i provuar që mund ta zgjidhë më së miri këtë problem.

Gjatë sezonit të kultivimit, shumica e fermerëve janë të fokusuar në fushë, pra në terrenin prodhues, dhe jo të lidhur me një kompjuter apo aplikacion elektronik. Por për të marrë vendimet më të mira për fermat e tyre, ata kanë nevojë për qasje në të dhëna të shpeshta që janë të zbatueshme dhe të lehta për t’u përdorur. Bujqësia digjitale mund të ndihmojë që praktikat e tyre të jenë më fitimprurëse dhe më miqësore me mjedisin në të njëjtën kohë. Satelitët, dronët apo stacionet e sinjal prognozës janë mënyra se si duam t’i përdorim të dhënat në vazhdim. Rritja e çmimeve të plehrave, zinxhirët e furnizimit të prishur me luftën në Ukrainë dhe rritja e kostove të energjisë e vendosin në sfidë zhvillimin bujqësor dhe këshillimin bujqësor në veçanti. Ndërsa çmimet e inputeve rriten pa kufi, është e nevojshme të ri-mendohet se sa inpute është e nevojshme të shpërndahen/përdoren gjatë ciklit agro-teknik për të mbajtur nivelin aktual të rendimentit. Nëpërmjet të dhënave satelitore arrihet zonalizimi i terrenit bujqësor i cili  bazohet në krahasimin relativ të zonave brënda së njëjtës fushë gjatë një intervali kohor të caktuar. Zonimi aktual i gjëndjes mundëson identifikimin dhe trajtimin e saktë të zonave të prekura (përdorimi i pesticideve, herbicideve, mbjelljeve shtesë, etj.).

Arsyet pas kësaj mund të ndryshojnë në bazë të cilësisë së tokës, pH të balancuar dhe madje edhe sasisë së plehut që duhet të aplikohet. Zonimi ndihmon në identifikimin saktësisht se cilat inpute kërkohen, ndërkohë që pamjet që paraqesin të dhënat satelitore i mundësojnë agronomëve të vendosin se në cilat zona duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje, zonave të kuqe dhe portokalli se sa zonave jeshile dhe të gjelbra të ndezura në hartë. Kjo gjithashtu do ta ndihmojë atë në përcaktimin e cilësisë së përgjithshme dhe të rendimentit të fermës.

Bujqësia digjitale shtrihet edhe në blegtori, gjë që mund të mundësojë mirëqenien dhe shëndetin e kafshëve. Tashmë, fermerët e qumështit në shumë vende të botës përfshijnë bujqësinë digjitale në praktikat e menaxhimit. Programet e menaxhimit të ushqimit, programi i regjistrimeve të qumështit, matësit e qumështit, pedometrat dhe shiritat digjital të përtypjes, të përdorura për të monitoruar përtypjen e ushqimit, janë të zakonshme në fermat e qumështit.

Çfarë nënkuptojmë me digjitalizimin 360 gradë?

Bujqësia digjitale është integrimi i pandërprerë i teknologjive digjitale në menaxhimin e aktiviteteve bujqësore dhe blegtorale dhe të proceseve të tjera të zinxhirit në bujqësi. Robotët dhe dronët po përshpejtojnë automatizimin e fermës duke zëvendësuar operacionet manuale të fermave, si p.sh. vjelja e frutave, sensorë të temperaturës dhe lagështisë, infeksione në bimë, semundjet gjethore, gjendja e tokës dhe ujit, ushqimi në blegtori, matja e qumështit në mjelje etj. Imazhet nga dronët dhe satelitët, së bashku me Sistemin e Pozicionimit Global (GPS), ofrojnë një pamje me rezolucion të lartë dhe vendndodhje specifike të fushës. Sfidat janë të shumta dhe të ndërlidhura, disa lidhen me karakteristikat e popullsisë rurale, disa të natyrës së aktiviteteve bujqësore, disa për informacione të tregut etj.

Digjitalizimi i agroteknikës së përdorur në fermë. Agroteknika digjitale është një vendimarrje inteligjence e krijuar për të ndihmuar fermerët të aplikojnë sasinë e duhur të plehrave dhe të parashikojnë rendimentet reale të prodhimit. I kontrolluar nga satelitorët apo dronët në terren dhe duke marrë informacionin nëpërmjet smartfonëve, fermeri merr parasysh kushtet lokale të tokës e lidhur me të dhënat e motit, parashikimet e dëmtuesve dhe sëmundjeve dhe faktorëve të tjerë indikativ në fermë.

Digjitalizimi i proceseve të financimit dhe analizave financiare. Revolucioni digjital ofron një mundësi të shkëlqyer për të kapërcyer disa nga sfidat kryesore që kufizojnë aksesin e aktiviteteve rurale duke përdorur në mënyrë efektive shërbimet financiare. Aktivitetet bujqësore kanë intensitete zhvillimi të ndryshme bazuar në pozicionin gjeografik të fermës, sherbimeve agroteknike që përdor, mënyrën e kultivimit (intensive apo tradicionale), faktorëve klimaterik etj. Sistemet financiare digjitale ndihmojnë Institucionet Financiare, Këshilluesit në Bujqësi (shtetëror apo privat) të kalkulojnë në mënyrë të shpejtë dhe efikase përfitueshmërinë e aktiviteteve bujqësore dhe blegtorale duke e lidhur me planin e investimit, sigurimin e burimeve të financimit dhe skedën agroteknike. Duke përzgjedhur intensitetin agroteknik në fermë, arrihet që në mënyrë elektronike të sigurohet një analizë financiare për investimin e planifikuar.

Digjitalizimi i aksesit në tregje. Aksesi në treg duhet të përfshijë gjithashtu teknologji moderne që ofrojnë akses të drejtpërdrejtë njohuri të tregut për fermerët dhe familjet rurale por edhe tek konsumatorët. Në përgjithësi fermerëve i mungon aksesi në çmimet reale të produkteve që prodhojnë apo kërkesën për furnizime që tregu paraqet në kohë, për shkak të mungesës së njohurive të tyre të tregut dhe pamundësisë për t’iu qasur drejtpërdrejt konsumatorëve. Prandaj, politikbërësit apo institucionet financiare duhet të krijojnë partneritete publike-private për të ofruar zgjidhje të bazuara në të dhëna dhe teknologji që zgjidhin sfidën e aksesit në tregje.

Ilir Pilku