
Më 20 prill u zhvillua mbledhja e Komitetit të Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura Mjedisore në Qarkun Fier, nën drejtimin e Zëvendësprefektit të Qarkut. Në mbledhje morën pjesë përfaqësues të institucioneve, të Bashkisë Divjakë, ekspertë dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.
Gjatë mbledhjes, AdZM Fier prezantoi punën e realizuar, me fokus te menaxhimi i territorit, masat për mbrojtjen e biodiversitetit, pyjeve, florës dhe faunës, si edhe sfidat e hasura në terren, të cilat kërkojnë bashkëpunim më të ngushtë ndërinstitucional. Një çështje me rëndësi për PKDK janë edhe investimet e parashikuara nga Ministria e Mjedisit, si pedonalja për vizitorët dhe kullat e vëzhgimit, të cilat janë në dobi të turizmit.

Problematikat më të mprehta që mbeten sfida për të ardhmen janë ato që kanë lidhje me:
• Gjuetia e paligjshme
• Peshkimi i paligjshëm
• Ndotja e cilësisë së ujrave
• Ndotja nga mbetjet, kryesisht ato plastike
• Menaxhimi i Plazhit dhe Mbrojtja e Dunave Ranore
• Kontrolli i bimëve innvasive
• Të ardhurat Financiare
• Depozitimi i mbetjeve në grykat e lumenjve
• Zhvillimi Urban në Zonat e Mbrojtura, etj.

Gjatë mbledhjes u prezantuan gjithashtu aktivitetet me rëndësi për parkun, të mbështetura nga TdV dhe shoqatat Horizont EU, AOS, PPNEA, Iliria, APAWA. Me rëndësi të madhe për parkun janë studimi ekologjik i lagunës dhe godullës, studimi i fizibilitetit për ishullin e folezimit të pelikanit, studimi për dunat ranore, si dhe aktivitetet e pyllëzimit në pyllin e Gjenerukës.
Ndër aktivitetet e tjera me rëndësi për parkun, në mbledhje u përfshin gjithashtu aktivitetet si mbjellja e fidaneve te rinj, unazimi i shpendeve migratore, sinjalistika orientuese ne shtigje, edukimi e ndergjegjesimi i te rinjve, te banoreve te zonave, etj.
U diskutua gjithashtu mbi Planin e Menaxhimit të PKDK, i cili është në proces hartimi. Përpara finalizimit të dokumentit, planifikohet zhvillimi i konsultimeve për të marrë në konsideratë të gjitha çështjet prioritare.
Në përfundim, u përcaktuan detyrat per secilin institucion që fokusohen në gatishmërinë për mbrojtjen e pyjeve nga zjarri, menaxhimin e turizmit, menaxhimin e mbetjeve urbane, si dhe çështje të tjera prioritare, të cilat kërkojnë bashkëpunim ndërinstitucional.
Horizont EU



