Reklame:

Koronavirusi “thirri” ne skene bujqesine – “Te gjithe do futen ne karantine, vetem goja jo!”

Nga Engjëll Serjani/ Porta Vendore/ Gjirokastër  

Një ish oficer, aktualisht fermer dhe admirues i hershëm i letërsisë shqipe, opinionet e tij për situatën e kolapsit që ka pllakosur nga pandemia globale dhe kombëtare i përcjell duke perifrazuar vargje nga poetët kombëtarë. “Koronavirusi thirri në skenë bujqësinë”, “bujk shqiptar, mos rri po duku”, “balta si mjalta”, “duhet marrë në trastë leshi, si Dritëroi që e çoi në Lidhjen e Shkrimtarëve”. Këto e të tjera shprehje që i pëlqen të përdorë, shoqërojnë bisedën me mikun tim. Perifrazon mandej edhe Himnin Kombëtar. “Rreth tokës të përbashkuar, më një dëshirë me një qëllim”….

Quhet Mitat Sula. Jeton në Valare, njësia administrative Lunxhëri e Bashkisë Gjirokastër. U nisa për te Mitati dhe e gjeta në punë, duke punuar me frezë në vreshtin që ka ngritur pranë banesës. Vreshti ishte në gjendje të mirë. Pas krasitjes dimërore të lastarëve me sytha gati në shpërthim, tani është moment për ta punuar që të marrin ajër rrënjët dhe të largohen barërat parazitare.

-Po punon, ke shkelur karantinën! Nuk të tremb?

-“Mua jo! Por dhe ju, mos u trembni. E ke dëgjuar atë fjalën e Zotit. “Ruajmë o Zot! Ruaju që të të ruaj!” i tha Zoti.

Bashkëbiseduam gjatë me këtë burrë të fortë, e të mençur. Ne i flasim për koronavirusin, po gjetkë “fle lepuri” për Mitatin.

Po ku qëndron dëshira dhe qëllimi i tij? Çfarë është esenciale në bisedën që mori edhe formën e analizës së tij “letraro-ekonomike”? Dhe pikërisht këtu, historia që duam të rrëfejmë duhet të “mbajë këmbët” tek historia e jetës “tallaz-tallazë” të vetë Mitatit.

Ish oficeri, shkolluar për këtë profesion deri në Akademinë Ushtarake, pak pas ndryshimeve të thella të 1990-tës, mbeti “në mes të katër rrugëve”. Ndaj nisi të merret me tregti, e duke ndërruar disa profesione, por nuk arriti “të dalë në selamet”. Mori kurbetin dhe punoi familjarisht për rreth 20 vjet në Kretë. “Hapa sytë dhe pashë. Toka dhe njerëzit, njëlloj si te ne. Bëra ca pako (pak) euro dhe u mendova mirë. Unë jam nga Kalivaçi i Tepelenës, të pushkës, por dhe të tokës. Ku t’i investoj, thashë? Toka mu duk investimi më i sigurt. Toka fisnikëron dhe ushqen njeriun. Toka është Zoti për robin. ‘Kush ka kokë, blen tokë’, ‘Tokën edhe hasmi e shkel, e dot s’e merr’, janë proverba të kalivaçiotëve. U ktheva në vendin tim dhe bleva 10 dynym tokë në Valare të Gjirokastrës. Këtu ngrita një vresht. Ngrita shtëpinë pranë vreshtit. Ndërtova në katin e dytë, të parin e lashë. Më vonë me të ardhurat ndërtova një punishte të përpunimit të prodhimit. Bëj verë dhe raki. Në dy vitet e fundit shtëpisë i kam dhënë profilin e një bujtine modeste. Pres grupe të vogla turistike. Shërbej me prodhimet e fermës time modeste”, thotë Mitati për Portën Vendore.

Kjo është në vija “të trasha” historia e Mitatit. Por le të vijmë aty ku e lamë. Po ku “fle lepuri” i Mitatit në analizën e tij “letraro-ekonomike”?

Kriza e thellë ka zhytur në kolaps ekonomik total prodhimin, biznesin dhe shërbimet. Kërkesat për argëtim dhe veshje do të limitohen përkohësisht nga “kuleta” familjare. Orientimi i tregut ushqimor do jenë prodhimet e freskëta të fushës. Qysh javën e parë të karantinës u vërejt rritja e çmimeve të produkteve bujqësore e blegtorale, perimeve, agrumeve, vezëve, mishit, arrave, lajthive dhe produkteve të tjera të vendit.

“Kjo situatë s’ka nevojë për nuhatje. Të flet vetë”, thotë Mitati. Tregu ka bollëk perimesh të stinës: spinaq, presh, qepë e hudhra të njoma e të thata, lakër, lulelakër, trangull e domate të serave, patate dhe fasule. “Kush mbolli, tani korr të ardhura”, thuhet në gjuhën popullore. Bujqësia dhe prodhimet e saj, mendon Mitati, do të jenë një biznes i mirë në këtë situatë. Fermeri i mençur shkon edhe më tej: “Dëgjomëni mua. Edhe njerëzit do ndryshojnë pas kësaj lufte, pa topa e pa gjyle. Do kërkojnë mallin e vendit. Ndaj u them këtyre fshatarëve të Valaresë; Ktheni sytë nga toka! Erdhi dita jona! Kush të më dëgjojë, do fitojë”, thotë Mitati me një ton prej profeti.

“Jemi vërtet në karantinë. Po kush më pengon mua të punoj, të krasis dhe të spërkat vreshtin. Nuk më gjen dot këtu në mes të vreshtit, as virusi, as polici, as Edi Rama”, vazhdon ai. “Unë frezoj dhe spërkat dhritë (vreshtin), përmbys dheun dhe dezinfektoj vendin. I ftoj të gjithë pas karantinës. Ejani tek vreshti dhe bujtina ime. Nuk keni ku gjeni vend më të pastër e më të garantuar. Dhe më se e vërtetë, sepse dihet që fermat shqiptare janë me sipërfaqe të fragmentizuara, larg e larg njëra tjetrës dhe ky organizim nuk e favorizon përhapjen e pandemisë dhe viruseve që përhapen nga njerëzit”, thotë Mitati.

Hedhim sytë nga fusha e Valaresë. Asnjë traktor. Fushata e punimeve dhe mbjelljeve të stinës, është në kulmin e saj. Bujqit e fermerët janë të trembur nga rënia e fuqisë blerëse. Por kur është fjala për ushqimin, luhatjet janë të pallogaritshme. “Të gjitha do futen në karantinë, vetëm goja jo!”, vazhdon toni profetik i bashkëbiseduesit tim. Moti në këto ditë të para të pranverës është i ngrohtë, i kthjellët, më se i përshtatshëm për të punuar dhe për të ofruar në treg prodhime të hershme.

Pse nuk punohet? Mitati ngre supet. “Unë nuk kam pushuar. Punoj. Të tjerët do pendohen. Goja, siç të thashë, nuk është në karantinë. Njerëzit do duan edhe më shumë ushqime. Gjithkush ka kokën mbi supe. Do pendohen mot, që s’punuan sot”, thotë ai duke hedhur vështrimin mbi tokat e Valaresë që flenë gjumë dhe në krejt Luginën e Drinos. “Fermeri shqiptar duhet të kuptojë shprehjen, ‘mos rri, po duku’. Duhet të mbjellë, pasi çmimet premtojnë rritje. Fitimi do jetë i garantuar. Nuk është sekret të pranojmë se çmimi i agrumeve ka dhënë shenja të qarta rritjeje. Portokallet dhe limonët kanë shënuar nivele ‘astronomike’ në treg. Janë dyfishuar krahasuar me një javë më parë, dhe rritja jo vetëm në tregun ambulant të lagjes, por edhe në qendra e mëdha urbane. Nuk gjen në treg limon me çmim nën 250 lekë/kg. Në këtë kurbë të çmendur, ka ndikuar jo vetëm rekomandimi i mjekëve për vitaminë C, por edhe fakti që gjendja e rezervave tek grosistët po mbarohet. Furnizimeve të reja nga importi janë një mesele më vete. Kalvari i qarkullimit në kufij e dogana, rritja e çmimit në burim, rritja e kostos së transportit, ka të ngjarë që çmimet të mund të bëjnë ‘kacafiu’. Po të kishte rezerva të prodhimit vendas, sa mund të përfitonin fermat e agrumeve sot? “, thotë Mitati.

Sipas tij, kërkesa për produkte bujqësore dhe blegtorale do të pësojë një rritje të madhe në ditët në vijim. Për këtë ai ka bindjen e tij.

“Mirëpo, zinxhiri ku lëviz importi, do të tendoset edhe më shumë në muajt në vazhdim. Firmat që importojnë mallra ushqimorë, ankohen se kontraktuesit e tyre të huaj nuk respektojnë sasitë e rëna dakord dhe të kontraktuara. Dërgojnë gjithmonë e më pak. Në rrethana krize atë që mund të fitonin nga importi, mund ta sigurojnë nga shitjet brenda vendeve të tyre. Askush nuk di se çfarë do ndodhë me këtë të flamosur virus”, thotë Mitati.

Piva një gotë verë që ma ofroi zonja e shtëpisë dhe “nëndrejtoresha e fermës”. U përshëndeta me çiftin e fermerëve. Natyrisht, siç e do zakoni i karantinës, bërryl me bërryl. Pastaj u largova duke marrë me vete fjalët e mençura të Mitatit dhe duke lënë pas respektin për punën, eksperiencën dhe mendimet e tij. Ish oficeri i transformuar në fermer të bind. Të bind, pasi për bujkun nuk ka karantinë. Të bind se toka dhe letërsia mbeten pasionet e tij edhe në këtë kohë lufte “pa topa dhe gjyle”. Të bind se situata dhe kolapsi pandemik rruzullor që pa pllakosur, nuk është për të.

Lufta me pandeminë globale vazhdon e ashpër në ekranet anembanë rruzullit. Mitati nuk ka shumë kohë të shpenzojë me të. Ai ka shumë punë në vresht. Por dhe kur çlodhet pak, ka punë me poetët e tij të dashur, Naimin, Çajupin, Dritëroin, Kadarenë, Xhevairin…

Si mërmërimë nga fushat ku dëgjohet vetëm freza e Mitatit, më vijnë në vesh fjalët e tij me tingëllim profetik dhe poetik: “balta si mjalta” dhe ”koronavirusi thirri në skenë bujqësinë”.

Mora me vete pasionin dhe dëshirat e tij për jetën, tokën dhe poezinë.

Ishte dita më me kuptim e karantinës time.
(Nga Engjëll Serjani/ Porta Vendore/ Gjirokastër )