Reklame:

Ndryshimet klimatike/ Shqiperia vendi me i rrezikuar ne Evrope!

Ndotja e mjedisit në Shqipëri si pasojë e hedhjes së mbeturinave mbetet një ndër problemet më të mëdha. Përveç ndotjes mjedisore edhe ndryshimet klimatike po ndikojnë përherë e më shumë në natyrën dhe jetën në përgjithësi. Gjatë dekadave të ardhshme, Shqipëria dhe Kosova pritet të pësojnë pakësim të reshjeve vjetore. Ngjashëm, parashikohet edhe rritja e temperaturave vjetore.

Ne nje interviste znj. Merita Mansaku – Meksi, koordinatore rajonale për Shqipëri dhe Kosovë në GIZ ka deklaruar se nga organizatat botërore Shqipëria cilësohet si vendi më i rrezikuar në Europë sa i takon efekteve të ndryshimeve klimatike. Mungesa e të dhënave mbi klimën, e bën edhe më të vështirë analizën, hulumtimin dhe realizimin e projekteve rreth ndryshimeve klimatike.

Me poshte keni intervisten e plote me znj. Merita Mansaku – Meksi, koordinatore rajonale për Shqipëri dhe Kosovë në GIZ, dhene per nje media ne Kosove.

Znj. Mansaku – Meksi, si është gjendja mjedisore në Shqipëri?

Si një aktiviste mjedisore do të thoja që ka ende shumë problematika, të cilat kërkojnë vëmendjen e vendimmarrësve qendrorë e vendorë, por edhe veprime konkrete nga të gjithë ne.

Ndotja e ajrit, pothuajse në gjithë botën, përbën një ndër problemet më serioze, dhe përkundër pandemisë COVID-19, prapëseprapë ka shënuar rritje. Sa është bërë që Shqipëria të ulë ndotjen e ajrit?

Në Shqipëri, ndryshe nga Kosova, ndotja e ajrit vjen kryesisht nga sektori i transportit, pra përdorimi i makinave dhe cilësia jo e mirë e karburantit të përdorur si dhe sektori i ndërtimit. Është për të ardhur keq, që pavarësisht industrisë jo të zhvilluar, e cila shkakton ndotjen kryesore të ajrit në shumicën e vendeve, ne ende renditemi ndër vendet me ajrin më të ndotur. Si qytetare e vendit tim, mendoj që ka ende shumë për t’u bërë si në drejtimin e monitorimit të cilësisë së ajrit, ashtu dhe në kontrollin e cilësisë së karburanteve dhe sistemeve të filtrimit.

Kryetema në shkallë globale sot është ndryshimi i klimës, a mund të na tregoni çfarë efekti do të ketë në Shqipëri?

Ne kemi pak të dhëna historike për të dhënë një opinion shkencor në lidhje me efektet e ndryshimeve klimatike, megjithatë studime dhe raporte të ndryshme të hartuara nga Banka Botërorë dhe Sekretariati i Përbashkët i Kërkimeve të Bashkimit Europian e vendosin Shqipërinë si vendin më të rrezikuar në Europë sa i takon efekteve të ndryshimeve klimatike. Kjo jo vetëm sa i takon përmbytjeve, si efekti i saj kryesor, por edhe sa i takon valëve të të nxehtit, zjarreve në pyje dhe thatësirave.

Sa ka punuar Shqipëria në luftën kundër ndryshimeve klimatike?

Për hir të së vërtetës është bërë një punë shumë e mirë në këtë drejtim. Shqipëria ka qenë ndër të parat vende të Ballkanit që është bërë pjesë e Konventës Ndërkombëtare për Ndryshimet Klimatike dhe e protokolleve të saj. Një sërë aktesh ligjore janë ndërmarrë për të përafruar legjislacionin tonë me atë të vendeve të Evropës. Kjo ka kulmuar me strategjinë për ndryshimet klimatike si dhe ligjin e ndryshimeve klimatike të miratuar rishtas nga Parlamenti Shqiptar. Thënë këto, do të nënvizoja se kuadri ligjor është i mirë. Ka pasur një sërë projektesh për t’i ardhur në ndihmë Qeverisë Shqiptare për ngritjen e kapaciteteve dhe adresimin e ndryshimeve klimatike si në këndvështrimin e zbutjes (mitigimit) ashtu dhe në atë të përshtatjes (adaptimit). Megjithatë, mbetet ende shumë për t’u bërë, veçanërisht në zbatimin e politikave të hartuara në këtë fushë dhe integrimin e masave përshtatëse ndaj ndryshimeve klimatike në të gjithë sektorët e ndikuar.

Shqipëria konsiderohet vend i prirur për përmbytje. Si duhet menaxhuar përmbytjet?

Ka shumë faktorë që duhen pasur parasysh në menaxhimin e përmbytjeve. Marrja dhe interpretimi i informacionit për të reshurat është njëri nga hapat, përdorimi i këtij informacioni për paralajmërim të hershëm dhe bashkërendimi me strukturat e mbrojtjes civile, informimi i popullatës dhe ndërgjegjësimi i tyre mbi mënyrën se si duhet të sillen para, gjatë dhe pas përmbytjes janë gjithashtu hapa të rëndësishëm në menaxhim.

Megjithatë në terma afatgjatë qeveria qendrore dhe ajo vendore duhet të mendojnë dhe veprojnë në mënyrë strategjike për të integruar dhe zbatuar masat adaptuese ndaj ndryshimeve klimatike në çdo sektor, nisur me planifikimin urban, menaxhimin e ujërave, bujqësinë e kështu me radhë.

Znj. Mansaku – Meksi, ju keni punuar një kohë të gjatë edhe në një projekt rajonal që përfshin pellgun e Drinit, prandaj keni përvojë edhe me praktikat në shtetet ripariane të këtij pellgu. Në rastin e Kosovës, a mendoni që Kosova është një kontribuues i qenësishëm në ndryshimet klimatike?

Nuk do ta thoja këtë. Kontribuuesit e qenësishëm për ndryshimet klimatike janë vendet e mëdha dhe shumë të industrializuara si SHBA, Kina dhe India.

Në këndvështrimin tuaj, Kosova është më shumë ndikues në këto ndryshime, apo afektohet më shumë prej tyre?

Kosova është një vend i vogël dhe unë mendoj që ajo më shumë ndikohet nga efektet e ndryshimeve klimatike sesa kontribuon për to. Mjafton të kujtojmë se vetëm këto 10 vitet e fundit keni kaluar tri herë në situata thatësirash, të cilat kanë çuar në vështirësi në furnizimin me ujë të popullsisë dhe sektorëve jetikë.

Sipas jush cilat janë nismat që shtetet tona duhen adresuar në disa nga efektet e ndryshimeve klimatike?

Mendoj që ka shumë nisma që duhen ndërmarrë, me fokus në përshtatjen. E rëndësishme është që të jemi unison dhe të ndërmarrim nisma të përbashkëta për të fituar nga njohuria, eksperienca dhe gabimet e njëri-tjetrit. Sistemet i informimit mbi klimën dhe sistemet e paralajmërimit janë hapat kryesorë dhe të domosdoshëm për sukses në çfarëdo nisme tjetër, prandaj duhet nisur nga to.

Mendoni se thatësirat e shpeshta të viteve të fundit janë efekt i drejtpërdrejt i ndryshimeve klimatike?

Në mungesë të të dhënave historike afatgjata, të cilat mund të kishin vërtetuar të kundërtën, unë mendoj dhe besoj që këto thatësira kanë qenë efekt i ndryshimit të klimës në rajonin tonë.

Znj. Meksi, a kanë Shqipëria dhe Kosova institucione të mirëpërgatitura për të dhënat mbi klimën?

Të dy vendet tona kanë mungesë të të dhënave historike mbi klimën, kjo e bën të vështirë analizën, hulumtimin dhe realizimin e projeksioneve. Gjithashtu, numri i stacioneve monitoruese është i limituar. Megjithatë do të thoja që hapat e parë për një bazë të mirë janë hedhur.

Sot e gjithë bota është duke punuar rreth energjisë së ripërtritshme. A ka interesim nga shoqëria shqiptare për projektet e energjisë së rinovueshme?

Po. Interesi është në rritje si në nivel personal ashtu dhe në atë të biznesit. (Motilokal.com)