Reklame:

WWF ngre alarmin, 50 vitet e fundit popullsia e botes se eger ka rene me 68%

Organizata Botërore për Mbrojtjen e Natyrës (WWF) ngre alarmin mbi rrezikun që po i kanoset botës së egër. Në një raport të fundit nga WWF thuhet se popullsia e botës së egër humbi rreth dy të tretat e saj gjatë pesëdhjetë vitet e fundit si rrjedhojë e shkatërrimit të mjedisit. Për të ndaluar këtë prirje WWF ka bërë thirrje për ndërhyrje urgjente.

Në raportin mbi “Gjendjen e Planetit 2020” WWF ngre me shqetësim faktin se prej vitit 1970 popullsitë globale të gjitarëve, zogjve, amfibëve, zvarranikëve dhe peshqëve janë pakësuar me rreth dy të tretat.

Shkatërrimi dhe degradimi i habitateve natyrore, shpyllëzimi, bujqësia e paqëndrueshme dhe gjuetia apo tregtia e paligjshme e kafshëve të egra konsiderohen faktorët kryesor të kësaj gjendjeje.

“Raporti mbi Gjendjen e Planetit 2020 nënvizon se si shkatërrimi në rritje i natyrës nga njerëzimi po sjell ndikime katastrofike jo vetëm në popullatat e botës së egër, por edhe në shëndetin e njeriut dhe të gjitha aspektet e jetës sonë,” – është shprehur Marco Lambertini, Drejtori i Përgjithshëm, WWF International duke theksuar se këto të dhëna paralajmërojnë dështimin e sistemeve.

Raporti i WWF vë në dukje se biodiversiteti i ujërave të ëmbla po bie shumë më shpejt se ai i oqeaneve apo pyjeve. Prej vitit 1970 përllogaritet se rënia mesatare e popullatave të specieve të ujërave të ëmbla ka rënë me rreth 68 për qind.

Përmbytjet, thatësirat, ndërtimet, peshkimi, dhe shfrytëzimi i ujërave të ëmbla për prodhim energjie apo dhe konsum konsiderohen ndër faktorët kryesor për këtë gjendje, ku situata nuk paraqitet ndryshe as në rajonin tonë.

“Gjatë viteve të fundit, Shqipëria përjetoi disa periudha përmbytjesh të mëdha, të pasuara nga thatësira. Këto ngjarje ekstreme janë simptoma të krizës klimatike dhe lumenjve të degraduar, pasi vendi mbështetet tek energjia hidrike për të prodhuar elektricitet. Ndërkaq, projektet për hidrocentrale vazhdojnë të shumohen në të gjithë vendin. Megjithatë, komunitetet po reagojnë, duke qënë të vetëdijshëm se burimi i tyre më i çmuar – uji – duhet të mbetet një e mirë publike, në vend që të bëhet një gjenerator të ardhurash për investitorët e etur për fitim,” thotë Rea Nepravishta nga WWF Adria.

WWF thekson se rënia e biodiversitetit po kontribuon në rritjen dhe thellimin e pabarazive globale dhe kjo duhet marrë medoemos në konsideratë nga udhëheqësit botëror. Ajo bën thirrje që udhëheqësit të rishikojnë objektivat për vitin 2030 dhe të punojnë për ndalimin e kësaj prirjeje.

Raporti i WWF mbi Gjendjen e Planetit vjen pak para sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, sesion në të cilin pritet të rishikohen objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm, Marrëveshja e Parisit dhe Konventa për Diversitetin Biologjik.